Biznesmeni kinez merret peng gjatë ndeshjes së golfit, mbahet në kafaz e i kërkohen 15 milionë dollarë në këmbim të jetës!
Një biznesmen i pasur kinez është marrë peng me armë gjatë një loje golfi dhe është mbajtur në kafaz teksa banda kërkonte 15 milionë dollarë për lirimin e tij, u tha sot në gjyqin e autorëve. Dylan Huang ishte duke luajtur në fushën profesionale të golfit Brocket Hall në Hertfordshire në Britaninë Qëndrore kur pesë burra erdhën drejt tij me vrap dhe e rrëmbyen duke e futur me pas në një makinë.
Ndihmësi i tij dhe dy gra mbetën të hutuar në vendngjarje teksa thonin se u spërkatën me një substancë të panjohur në fytyrë, që i shkaktoi dhimbje. Zoti Huang, pak më shumë se 30 vjeç, i cili jeton në veri të Londrës, ishte lidhur e mbajtur në një kafaz diku në zonën e Surrey ku rrëmbyesit e kishin keqtrajtuar duke i kërkuar shpërblesën e pengut në monedha dixhitale Bitcoin.
Por 30 orë pas rrëmbimit ai papritur u lirua prej tyre duke u lënë diku pranë autostradës M25. Prokurori Russell Pyne tha:
Ata kërkonin të paguheshin $15 milionë në ‘bitcoin’. Pengu i tha se kishte aksione e asete financiare por ato nuk mund të lëvizeshin menjëherë. Ai kishte folur me të shoqen në telefon dhe me disa miq për të mundësuar një hua. Pas disa orësh pengmarrësit ishin nevrikosur dhe nisën ta keqtrajtonin, duke e goditur në këmbë me një objekt.
Banda besohet se e kishte mbajtur subjektin e tyre në Guildford, ku i kishin mbyllur sytë dhe gojën me ngjitëse. Pas disa tentativash për të marrë kriptovalutat prej tij, zoti Huang ishte liruar diku pranë autostradës M25 e M3, një natë më vonë. Ai kishte trokitur në derën e dikujt që kishte pranuar të thërriste një taksi për të. 35 vjeçari Tianfu Guo po gjykohet për drejtimin e komplotit, por mohon akuzat e pengmarrjes dhe zotërimit të një imitimi arme zjarri.
I dyshuari me origjinë kineze foli në gjyq me anë të një përkthyesi. Makina e tij Audi Q5 ishte gjurmuar nga kamerat e sigurisë teksa udhëtonte në autokolonë me makinën me të cilën transportohej Huang. Gjashtë të dyshuarit e tjerë besohet se janë larguar drejt Kinës dhe rrjedhimisht jashtë jurisdiksionit britanik, tha prokurori Pyne në seancën e hapjes së çështjes. Gjyqi i ngjarjes së mistershme vazhdon…