Inflacioni zbret në 2.3 përqind/ Rënia për shkak të uljes së konsumit. U ulën çmimet e ushqimit!
Çmimet për konsumatorët po rriten gjithnjë e më ngadalë sipas institutit të statistikave.
Niveli 2.3% i shënuar gjatë marsit është më i ulëti që nga korriku i 2021-it, dukë bërë që një cikël i plotë gati tre vjeçar të përfundojë me çmimet e të gjithë mallrave që u rritën ndjeshëm, fillimisht nga çmimet e energjisë dhe më pas nga lufta në Ukrainë.
Gjatë marsit rritje të lehtë pësoi grupi i ushqimeve, qiratë, uji, lëndët djegëse dhe energjia si dhe grupi i mobiljeve, pajisjeve dhe mirëmbajtjes së shtëpisë.
Sa i përket nënprodukteve, çmimet e frutave kanë ardhur me ulje duke dhënë kontribut negativ në inflacion, ndërsa te perimet rritja ka qenë njëshifrore për herë të parë pas një viti.
Ndërkohë dhe vaji i gatimit ka vijuar trendin në rënie bashkë me produktet e tjera ushqimore.
Niveli i inflacionit është tashmë për të dytin muaj radhazi poshtë objektivit të bankës së Shqipërisë, por sipas vlerësimit të fundit të institucionit monetar është ende herët për uljen e normave të interesit, që do t’i jepte një frymëmarrje të gjithë kredimarrësve.
Në analizën e fundit në raportin e saj BSH vlerëson se vendi mund të goditet nga një tjetër valë inflacioniste me pagat që po rriten me shpejtësi në tregun e punës, si dhe e ndikuar nga faktorë të jashtëm nëse situata gjeopolitike përkeqësohet nga luftërat, me anijet tregtare që po sulmohen në Detin e Kuq dhe që mund të sjellë ndërprerjen e linjave të furnizimit.