Alarmuese, hepatiti po vret 3.500 njerëz në ditë!
OBSH ka paralajmëruar se më shumë se 3.500 njerëz vdesin çdo ditë nga viruset e hepatitit dhe numri global po rritet. Të dhënat e reja nga 187 vende treguan se numri i vdekjeve nga hepatiti viral u rrit në 1.3 milion në vitin 2022 nga 1.1 milion sa ishte në vitin 2019.
Sipas raportit të OBSH-së, 83% e vdekjeve regjistrohen nga hepatiti B dhe 17% nga hepatiti C. Për trajtimin e këtyre viruseve ka barna efektive dhe të lira. Megjithatë, vetëm 3% e atyre me hepatit B kronik morën trajtim antiviral deri në fund të vitit 2022. Për hepatitin C, ndërkaq, u trajtuan vetëm 20% e të prekurve.
“Këto rezultate bien ndesh me objektivat globale për të trajtuar 80% të të gjithë njerëzve që jetojnë me hepatit B dhe C kronik deri në vitin 2030”,-tha në një konferencë për gazetarë Meg Doherty, udhëheqëse e programeve globale të HIV-it, hepatitit dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, pranë OBSH-së.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se raporti paraqet një pamje shqetësuese.
Pavarësisht progresit global në parandalimin e infeksioneve të hepatitit, numri i vdekjeve po rritet, sepse shumë pak njerëz me hepatit janë duke u diagnostikuar dhe trajtuar.
Sipas raportit të OBSH-së, dy të tretat e të gjitha rasteve të hepatitit janë në Bangladesh, Kinë, Etiopi, Indi, Indonezi, Nigeri, Pakistan, Filipine, Rusi dhe Vietnam. Ndërkaq, më shumë se një miliard njerëz janë duke jetuar me obezitet në gjithë botën, sipas gjetjeve më të fundit të publikuara në revistën shkencore Lancet. Në këto shifra përfshihen rreth 880 milion të rinj dhe 159 milion fëmijë, referuar të dhënave të vitit 2022.
Shifra më e lartë është në Tonga, ku 70-80% e të rinjve jetojnë me obezitet. Ekipet ndërkombëtare të shkencëtarëve kanë thënë se ekziston një nevojë urgjente për ndryshime masive në mënyrën e luftës ndaj obezitetit. Obeziteti mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të shumë gjendjeve serioze shëndetësore, përfshirë ato të zemrës, diabetin e Tipit 2 dhe disa lloje tumoresh.