“Një vetëkërkim më i thellë dhe personal…”/Dea Strica zbulon më shumë mbi krijimin e saj të ri muzikor!
E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë tekstshkruesja, kompozitorja dhe këngëtarja e talentuar Dea Strica. Ajo së fundmi ka publikuar dhe projektin e saj më të ri muzikor që e risjell atë në tregun muzikor pas një pauze relativisht të gjatë. Dea na ka treguar më shumë mbi këngën “Monolog”, si është procesi i saj i krijimit dhe jo vetëm…
Si ndihesh pas publikimit të “Monolog” dhe dashurisë që more nga publiku?
Ndihem mirë sepse është rikthimi im në muzikë pas një pauzë prej 2 vitesh. Është emocion i bukur kur zgjedh që të ndash sërish diçka me publikun.
Ti krijon dhe këngë për artistë të tjerë njëkohësisht, a është e vështirë ta bësh këtë ndarje?
Kur ti bën një këngë që i flet shpirtit tënd nuk e ndan për asgjë në botë me dikë tjetër. Ka raste që bëj një këngë por nuk e shoh veten tek ajo. Dhe është ky rasti që ti të bësh dallimin mes teje dhe një artisti tjetër. Unë filloj të krijoj diçka që vjen natyrshëm dhe shpesh nuk e di se për çfarë po shkruaj. Ka raste që artistët e dinë se çfarë teme e çfarë emocioni kërkojnë dhe unë i përshtatem.
Si lindi kënga “Monolog”?
Kam filluar të kompozoj vijën melodike fillimisht dhe kur ti e bën këtë, përdor disa fjalë. Një ndër fjalët që përsëritej ishte “who” pra kush je. Aty filloi një vetëkërkim më i thellë dhe personal, prandaj ka marrë atë titull, sepse është vërtet një monolog me veten.
Çfarë do të doje që njerëzit të mbajnë mend nga ti?
Uroj që të mbahem mend për tekstet e mia dhe emocionin. Njerëzit harrojnë ndonjëherë se çfarë thua, por nuk harrojnë çfarë i ke bërë të ndiejnë. Dhe unë dua që njerëzit të mbajnë mend emocionet.
Pak e dinë që ti je matematicione, si është e lidhur kjo me muzikën?
Janë të lidhura sepse janë dy aspekte që ekzistojnë, janë aty por ne fillojmë e i zbulojmë pak nga pak. E tillë është dhe muzika, por dhe matematika.
Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “Monolog”, ju mund ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.