OBSH: Hepatiti po vret 3.500 njerëz në ditë!

vovalbania April 09, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
OBSH: Hepatiti po vret 3.500 njerëz në ditë!

Më shumë se 3.500 njerëz vdesin çdo ditë nga viruset e hepatitit dhe numri global po rritet, paralajmëroi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Të dhënat e reja nga 187 vende treguan se numri i vdekjeve nga hepatiti viral u rrit në 1.3 milion në vitin 2022 nga 1.1 milion sa ishte në vitin 2019.

Sipas raportit të OBSH-së, 83 për qind e vdekjeve regjistrohen nga hepatiti B dhe 17 për qind nga hepatiti C.

Për trajtimin e këtyre viruseve ka barna efektive dhe të lira.

Megjithatë, vetëm 3 për qind e atyre me hepatit B kronik morën trajtim antiviral deri në fund të vitit 2022, thuhet në raportin e OBSH-së.

Për hepatitin C, ndërkaq, u trajtuan vetëm 20 për qind e të prekurve.

“Këto rezultate bien ndesh me objektivat globale për të trajtuar 80 për qind të të gjithë njerëzve që jetojnë me hepatit B dhe C kronik deri në vitin 2030”, tha në një konferencë për gazetarë Meg Doherty, udhëheqëse e programeve globale të HIV-it, hepatitit dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, pranë OBSH-së.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se raporti “paraqet një pamje shqetësuese”.

“Pavarësisht progresit global në parandalimin e infeksioneve të hepatitit, numri i vdekjeve po rritet, sepse shumë pak njerëz me hepatit janë duke u diagnostikuar dhe trajtuar”, tha ai.

Sipas raportit të OBSH-së, dy të tretat e të gjitha rasteve të hepatitit janë në: Bangladesh, Kinë, Etiopi, Indi, Indonezi, Nigeri, Pakistan, Filipine, Rusi dhe Vietnam.

Çfarë duhet të dini për hepatitin dhe llojet e tij?

Hepatiti i referohet një inflamacioni të mëlçisë. Zakonisht shkaktohet nga një infeksion viral, por mund të ketë dhe shkaktarë të tjerë të hepatitit, si hepatiti autoimun ose hepatiti që ndodh si rezultat i mjekimeve, drogave, toksinave dhe alkoolit. Rreth 90% e të infektuarve me hepatit nuk janë në dijeni të infeksionit të tyre.

Mëlçia si organ ndodhet në pjesën e sipërme djathtas të abdomenit tuaj. Ajo kryen disa funksione kyçe që kanë të bëjnë me metabolizmin e trupit të njeriut. Disa prej tyre janë:

filtrimi i toksinave
asimilimin e kolesterolit, hormoneve dhe barnave
shpërbërjen e karbohidrateve, yndyrave dhe proteinave
aktivizimin e disa enzimave që janë proteina esenciale për funksionet e trupit
depozitimin e glikogjenit, mineraleve, dhe vitaminave (A, D, E dhe K)
sintetizon proteinën e gjakut si albumina etj.

5 llojet e hepatitit viral

Infeksionet virale të mëlçisë që klasifikohen si hepatit, përfshijnë hepatitin A, B, C, D dhe E. Virusë të ndryshëm shkaktojnë secilin prej këtyre hepatiteve.

Hepatiti A është një formë akute dhe kohë shkurtër i sëmundjes. Ndërkohë B, C dhe D janë forma përgjithësisht kronike. Hepatiti E është gjithashtu akut, por mund të jetë shumë i rrezikshëm në gratë shtatzëna. Nga studimet të kryera në Shqipëri rezulton se hepatiti B ka një prevalencë 7-9 % dhe hepatiti C, një prevalencë 0.5-1%.

Hepatiti A

Hepatiti A shkaktohet nga një infeksion me virusin e hepatitit A. Ky lloj hepatiti transmetohet më së shpeshti nga konsumimi i ushqimit ose i ujit të kontaminuar nga feçet e një personi të infektuar me hepatitin A.

Hepatiti B dhe C

Hepatiti B dhe C është një infeksion viral i mëlçisë i shkaktuar nga virusi i hepatitit B, që mund të shkaktojë infeksion akut dhe kronik të saj. Virusi i hepatitit B dhe C transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun ose lëngje të tjera trupore (p.sh. sperma apo sekrecionet vaginale) të një personi të infektuar.

Hepatiti D

I quajtur edhe hepatiti delta, hepatiti D është një sëmundje serioze e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit D (HDV). HDV transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun e infektuar. Hepatiti D është një formë e rrallë e hepatitit, që ndodh vetëm me ndërthurje me hepatitin B. Virusi i hepatitit D nuk mund të shumëfishohet pa praninë e hepatitit B.

Hepatiti E

Hepatiti E është një sëmundje që vjen nga uji i ndotur. Hepatiti E gjendet kryesisht në zonat me higjienë publike të ulët dhe zakonisht rezulton nga ndotja e ujit të pijshëm nga fekale të infektuara. Kjo sëmundje është e pazakontë në Shqipëri. Megjithatë, rastet e hepatitit E janë raportuar në Lindjen e Mesme, Azi, Amerikë Qendrore dhe Afrikë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65769 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE