Benefitet e vajit të arganit në rritjen dhe shkëlqimin e flokëve tuaj!
Aplikimi i vajit në flokë është metodë antike, e cila thuhet se është përdorur që në Egjiptin e lashtë. Trashëgimia e kësaj metode vazhdon edhe sot, me efekte të konfirmuara të cilat arrijnë deri në veprim anti-bakterial prej përzierjes së vajrave vegjetalë dhe esencialë.
Tek të parët hyjnë vaji i arganit, i ullirit, i bajames dhe farave. Ndërsa tek esencialët sugjerohen vaji i rozmarinës, i mentës, livandës dhe i pemës së çajit. Por, është shumë e rëndësishme që çdo vaj që do përdorni të ketë përpunim dhe të jetë për kozmetikë, përndryshe dëmet mund të jenë të pariparueshme.
Ndërkaq, vaji i arganit është një përbërës natyral për kujdesin e flokëve që gjendet në shumë shampo dhe produkte për trajtimin e flokëve, falë efekteve të tij hidratuese dhe jo vetëm. “Vaji i arganit është një vaj natyral që rrjedh nga bërthamat e pemës së arganit, e cila vjen nga Maroku,”-thotë ekspertja Helen Reavey.
Ai shpesh quhet “ari i lëngshëm” për shkak të përbërjes së pasur me lëndë ushqyese të dobishme, duke përfshirë acidet yndyrore, anti-oksidantët dhe vitaminat. Vetitë hidratuese të tij ndihmojnë në zbutjen e flokëve, duke i bërë ato më të buta dhe më me jetë. Anti-oksidantët ndihmojnë në mbrojtjen e flokëve nga dëmtimi i shkaktuar nga radikalet e lira dhe faktorët mjedisorë.
Përtej të gjitha efekteve pozitive, njerëzit pyesin nëse vërtet vaji i arganit ndihmon në rritjen e flokëve. “Ne mund të themi që ky vaj nuk nxit direkt rritjen e flokëve, por ndihmon në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për folikulat e flokëve që të dalin, duke mbështetur potencialisht edhe rritjen e flokëve,”-thotë Reavey.
Të gjitha llojet e flokëve mund të përfitojnë nga përdorimi i vajit të arganit. Personat me skalp shumë të yndyrshëm duhet ta përdorin më pak sepse ekziston mundësia që ta yndyrosin më shumë kokën. E njëjta këshillë vlen edhe për personat me flokë shumë të hollë. “Teksturat më të holla të flokëve duhet të aplikojnë vaj argani me masë për të shmangur rëndimin e flokëve dhe shtimin e vajit në rrënjë,”-përfundon ekspertja.