Emigracioni dhe muaji i Ramazanit ulin konsumin për bukën!

vovalbania April 10, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Emigracioni dhe muaji i Ramazanit ulin konsumin për bukën!

Pas reduktimit të numrit të turistëve nga muaji tetor dhe deri tani, konsumi vijon të jetë me rënie për disa nga produktet e shportës ushqimore. Bizneset e para që ndjenë rënien e konsumit pas përfundimit të sezonit turistik ishin dyqanet e tregtimit të bukës, produkteve të tjera të brumit e pastiçerive.

Disa drejtues të furrave të bukës në muajin tetor pohuan se rënia e kërkesës për produktet e brumit dhe ëmbëlsirave ishte 20% krahasuar me vitin paraardhës, përveç shitjeve të produkteve fast food, që nuk shënuan pakësim.

Tendenca rënëse e konsumit për këto produkte ka vijuar edhe gjatë vitit 2024. Prodhuesit e bukës dhe ëmbëlsirave thonë se ulja e konsumit te buka është ndikuar nga faktorë demografikë, duke përfshirë largimet e popullsisë në emigracion, veçanërisht të rinjve.

Hysen Caka, administrator në “Caka Group”, tha se për muajt janar-mars 2024, konsumi për bukën është ulur me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Pakësimi i konsumit sipas tij është më i lartë për produktet e pastiçerisë. Kërkesa për ëmbëlsirat ka rënë me 70% krahasuar me vjet.

Për 3-mujorin e parë të vitit, konsumi për bukën dhe ëmbëlsirat ka shënuar rënie të lartë. Mendoj se arsyeja kryesore është largimi i të rinjve apo pjesës më vitale të shoqërisë në emigracion. Shumica e popullsisë së mbetur që është e plakur konsumon sasi të ulëta të këtyre produkteve. Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë periudhë te rënia e kërkesës është edhe muaji i agjërimit. Me përfundimin e muajit të Ramazanit presim të kemi një situatë më të qartë për analizimin e faktorëve ndikues.

Edhe Ali Dedolli, drejtues i rrjetit të furrave dhe dyqaneve të shitjes së bukës dhe pastiçerive “Alna Bakery”, pohon se pas largimit të turistëve të huaj, tendenca e konsumit vijon të mbetet në rënie. Sipas tij, shkak kryesor mbetet largimi i popullatës në emigracion.

Prodhuesit e bukës pohojnë se edhe gatimi i bukës në shtëpi ka një tendencë rënëse. Sipas tyre tashmë edhe ajo pjesë e popullatës që gjatë muajve të pandemisë e bënin bukën në shtëpi i është rikthyer blerjeve në furra, pasi kostoja e blerjes është më e leverdishme se ajo e përgatitjes së bukës në shtëpi.

Aksionet kundër informalitetit te pagesat e energjisë elektrike, ndër vite sipas tyre reduktuan numrin e familjeve që bëjnë bukën në shtëpi. Gatimi i bukës në shtëpi është më tepër traditë e mbetur te zonat rurale kultivuese të drithërave.

Importet e drithërave për janar-shkurt u rritën 50% për rezervat e grosistëve në pranverë. Ndonëse nga disa prej furrave kryesore të bukës ngrihet shqetësimi për rënie konsumi në 3-mujorin e parë të 2024-ës, importet e drithërave janë me rritje.

Importet e drithërave për muajt janar-shkurt 2024 u rritën 51%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës sipas të dhënave të INSTAT-it.

Për kryetarin e Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, shtimi i importeve nuk është ndikuar nga rritja e fabrikave, por nga masat e fabrikave të blojës për të krijuar rezervat e periudhës dimër- pranverë, pasi ende nuk dihet si do të jetë çmimi i grurit për korrjet e reja./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65818 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE