TikTok ‘sfidon’ Instagram-in me shërbimin e ri!
Në një njoftim të fundit dërguar përdoruesve, TikTok thotë se po përgatitet të lëshojë një aplikacion të ri për ndarjen e fotografive të quajtur TikTok Notes duke rivalizuar kështu edhe Instagramin. TechCrunch ka zbuluar një URL të re photo.tiktok.com, e cila u shfaq shkurtimisht në internet për të hapur aplikacionin TikTok Notes.
Sipas asaj që ishte e dukshme, përdoruesit do të kenë mundësinë të krijojnë edhe titra për fotot. TikTok thotë se po eksploron mënyra për të fuqizuar komunitetin e tiktokers për të krijuar dhe ndarë krijimtarinë e tyre duke përdorur foto dhe tekst në një hapësirë të dedikuar për ato formate. Nuk është njoftuar se kur është planifikuar të lëshohet aplikacioni TikTok Notes.
TikTok-u po zbulon gjithashtu planet për të nisur qendrat zgjedhore online, si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur integritetin elektoral gjatë këtij viti. Platforma e shpërndarjes së videove njoftoi se më shumë se dy miliardë njerëz në mbi 50 vende priten të shkojnë në votime këtë vit. Qendrat e saj zgjedhore do të përdoren për t’i drejtuar njerëzit drejt informacioneve të besueshme. Por, TikTok-u ka një sërë telashesh në Amerikë.
Një muaj më parë, Shtëpia e Bardhë iu dha agjencive federale të SHBA-ve 30 ditë kohë për të fshirë aplikacionin e njohur të mediave sociale me pronësi kineze TikTok nga të gjitha pajisjet celulare të dhëna prej qeverisë, mes rritjes së shqetësimeve për sigurinë. Kanadaja njoftoi një ndalim të ngjashëm. Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA ka miratuar një projektligj që mund të çojë në ndalim e platformës TikTok, e krijuar nga një kompani kineze.
Por ky projektligj nuk është pritur me pozitivitet nga të gjithë, teksa disa persona kanë protestuar jashtë Shtëpisë së Bardhë. Me tabela në duar që shkruanin se “TikTok na ka ndihmuar që të rrisim biznesin tonë”, ose “Na ka ndryshuar jetën”, ata shprehin kundërshtinë për këtë projektligj. Ndërkohë Ministria e Jashtme e Kinës ka nxjerrë një sërë deklaratash në X, të cilat duket se janë një përgjigje ndaj votimit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA.