Raportim në Këshillin e Integrimit, problematikat e adresuara nga kreu i SPAK-ut, Dumani!

vovalbania April 12, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Raportim në Këshillin e Integrimit, problematikat e adresuara nga kreu i SPAK-ut, Dumani!

Sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani raportoi mbi veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar. Dumani theksoi se SPAK-u ka luajtur rol të rëndësishëm për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri dhe rritjen e numrit e përmirësimin e hetimeve dhe konfiskimeve të pastrimit të parave.

SPAK-u i ka dhënë rëndësi të veçantë edhe hetimeve pasurore e luftës kundër pastrimit të produkteve të veprës penale. Eshtë bërë funksional sektori i hetimit financiar, si dhe është rritur numri i sekuestrove e vlerave të pasurive të sekuestruara.

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, Dumani theksoi se SPAK-u ka rritur numrin e çështjeve penale me objekt hetimin e subjekteve të profilit të lartë e të mesëm për veprën penale të korrupsionit. Sipas tij, në luftën kundër krimit të organizuar regjistrohet bashkëpunim shumë i mirë me të gjitha vendet e BE-së e më gjerë.

Në screening dhe progres-raportin 2023, vlerësohet se lidhur me luftën kundër korrupsionit ka përparime, por mbetet fushë shqetësuese. Këtu vlerësohet SPAK-u për hetimet e kryera mbi një sërë çështjesh të nivelit të lartë, por në përgjithësi korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike e të biznesit.

Lidhur me plotësimin e rekomandimeve të BE-së nga ana e SPAK-ut, Dumani bëri të ditur se në adresë të institucionit janë adresuar tre të tilla.

Një nga rekomandimet është përgatitja e një udhëzimi të përgjithshëm për hetimin financiar. Ne kemi ngritur grup pune dhe këtë rekomandim mund ta konsiderojmë të ezauruar. Një tjetër është përparësia e çështjeve dhe ulja e atyre të mbetura.

Kjo është shqetësuese për SPAK-un, ngarkesa e madhe dhe sidomos dosjet e mbartura. Për përmbushjen e këtij rekomandimi, në bashkëpunim me projektet e asistencës ndërkombëtare, SPAK-u do të përgatisë një strategji të veçantë.

Altin Dumani adresoi edhe disa problematika, zgjidhja e së cilave do të lehtësonte punën e SPAK-ut. Ai u ndal te mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre.

Një tjetër problem është mungesa e këshilltarëve ligjorë. Pasja e këshilltarëve ligjorë do të ndihmonte prokurorët e posaçëm që janë të angazhuar me hetimet paraprake.

Ndër të tjera, evidentoi problematikën që lidhet me rënien e referimeve kundër korrupsionit nga institucionet publike.

Evidentohet një rënie prej 40% krahasuar me vitin 2022. Këtu bën përjashtim Policia e Shtetit që ka ruajtur trend të njëjtë dhe vazhdon të jetë aktive. Institucionet e tjera kanë rënie.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65704 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE