Ish-presidenti Trump: Ndihma për Ukrainën mund të jepet në formën e një kredie!

vovalbania April 13, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ish-presidenti Trump: Ndihma për Ukrainën mund të jepet në formën e një kredie!

Ndërsa kryetari i ri në detyrë i Dhomës së Përfaqësuesve përballet me një rebelim nga radhët e ligjvënësve të partisë së tij kundër përpjekjeve për ndihma të reja për Ukrainën dhe Izraelin, ai mori një mbështetje publike të premten nga kandidati i pritshëm republikan për president, Donald Trump.

“Ai po bën një punë vërtet të mirë, në rrethana shumë të vështira”, tha ish-presidenti Trump, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, në fillim të një konference të përbashkët për shtypin me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

Ish presidenti Trump sugjeroi që republikanët të bëjnë përpjekje për ndihma të mëtejshme amerikane për Ukrainën “në formën e një kredie, në vend të një dhurimi”.

Zoti Johnson, i zgjedhur ligjvënës në shtetin Luiziana, është në detyrën e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve nga muaji tetor. Ai nuk komentoi për ndihmat. Por, qëndrimi i zotit Trump pritet të ndikojë tek disa ligjvënës republikanë.

Sipas ligjvënësit republikan Steve Scalise, kryetari Johnson ka negociuar me Shtëpinë e Bardhë për një propozim për ndihmat, që do të ndryshonte nga paketa e ndihmave e përfshirë në projekbuxhetin prej 95 miliardë dollarësh të miratuar nga Senati.

Ndihma për Ukrainën është ndër elementët më të debatuar, ndërsa vazhdon luftën me Rusinë. Po kështu edhe ndihma për Izraelin, që vazhdon ofensivën kundër Hamasit në Gazë.

I pyetur nga shërbimi në gjuhën ukrainase i Zërit të Amerikës, Ligjvënësi Troy Nehls u përgjigj të enjten se “nuk do t’i jap para Ukrainës, as nuk i kam dhënë ndonjëherë, as nuk do t’i jap. A mund të më thotë dikush se cila është strategjia për Ukrainën?”.

Ligjvënësi Nehls radhitet gjithashtu ndër ligjvënësit republikanë që pretendojnë se zgjedhjet presidenciale të viti 2020 u manipuluan në favor të presidentit Joe Biden. Ligjvënësi Nehls parashikon se nëse zoti Trump do të rizgjidhet president këtë nëntor, forcat ruse “do të jenë larguar nga Ukraina deri më 1 prill”.

Një tjetër ligjvënës republikan, Keith Self, dëshiron që ndihma për Ukrainën të kushtëzohet me rritjen e buxhetit për sigurinë e kufirit SHBA – Meksikë.

Ligjvënësi Self i tha Zërit të Amerikës se ndërsa Kievi pret për ndihma të mëtejshme nga Uashingtoni, duhet t’u drejtohet ndërkohë për ndihma vende evropiane.

“Mendoj se Evropa po fillon të kuptojë se duhet të kujdeset për kopshtin e saj”, tha ligjvënësi Self, që është edhe anëtar i komisionit për marrëdhëniet me jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve.

Nëse kryetari Mike Johnson shihet se po plotëson kërkesat e demokratëve, kjo vetëm do të zgjeronte numrin e ligjvënësve republikanë që janë të pakënaqur me punën e tij drejtuese.

Ndërkaq kryetari Johnson është i detyruar të bashkëpunojë me demokratët për projektligjet kryesore, pasi partia e tij ka një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Drejtuesi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi Hakeem Jeffries ka sugjeruar se demokratët mund ta ndihmonin zotin Johnson të qëndronte në postin e kryetarit nëse ai do të ndihmonte për miratimin e propozimit për ndihmat të kaluar në Senat, ku shumicën e kanë demokratët.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65211 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE