Aplikimi në Këshillin e Europës, ditë historike për Kosovën në Strasburg!

vovalbania April 15, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Aplikimi në Këshillin e Europës, ditë historike për Kosovën në Strasburg!

Sot dhe nesër janë dy ditë historike për Kosovën, pasi Këshilli Europian do të votojë raportin e Dora Bakoyannis-it në lidhje me aplikimin e Kosovës në Këshill e po ashtu do të ketë votime në komitete e në Asamblenë Parlamentare. Ndërkaq, nuk ka dyshime se procesi i votimit do të jetë sfidues, pasi disa vende si Spanja dhe të tjera kanë folur hapur kundër anëtarësimit të Kosovës.

Të hënën, më 15 prill 2024, nga ora 14:00 -15:15, Komiteti për Barazinë dhe Mosdiskriminim, te pika e katërt e rendit të ditës do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE. Po ashtu, në të njëjtën ditë, pra sot, në Komitetin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut do të diskutohet raporti lidhur me aplikimin e Kosovës në APKE.

Të martën, më 16 prill 2024, mbahet takimi i Asamblesë Parlamentare. Ky sesion pranveror i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Europës cilësohet i një rëndësie historike. Diku rreth orës 16:00 të ditës së nesërme do të zhvillohet një debat sa i përket aplikimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Në këtë sesion do të diskutohet raporti i Dora Bakoyannis-it, dokument që duhet të marrë 2/3-at e votave të anëtarëve të pranishëm. Asambleja Parlamentare ka 46 shtete anëtare, me gjithsej 302 anëtarë, plus 306 zëvendësues.

Janë 34 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa 14 të tjera që nuk e kanë ndërmarrë këtë hap. Nëse votimi rezulton i suksesshëm, i njëjti raport do të procedohet për në Komitetin e Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024.

Po ashtu, nesër në orarin 10:30-12:30, Komiteti për Politikën dhe Demokracinë, në sallën nr.9 do të diskutojë për raportin konsultativ lidhur me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Europës e për të cilin do të flasë raportuesja Bakoyannis.

Në këtë takim do të paraqiten edhe dy raporte të tjera të po dy komiteteve që kanë ndihmuar në hartimin e opinionit konsultativ. Në tërësi, procesi i votimit do të jetë sfidues. Disa vende si Spanja e të tjera kanë folur hapur kundër anëtarësimit të Kosovës, por kësaj here, Prishtina ka shpresa se do të triumfojë, pasi mbështetja e vendeve mike është pa rezerva, ndërsa angazhimi i delegacionit ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë unik e serioz.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE