Këtë javë takimi për dinarin/ Lajçak: Pres që palët të vijnë me mendje të hapur!
I dërguari i posaçëm i BE për Dialogun, Miroslav Lajçak ka njoftuar se takimi i radhës për dinarin mes Kosovës dhe Serbisë pritet të zhvillohet në fund të kësaj jave.
Këtë javë pritet të zhvillohet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit. I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njofton se pret nga palët që të ulën në bisedime për të gjetur një zgjidhje.
“Në fund të kësaj jave, do të pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së përkohshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Pres që të dyja palët të vijnë në takim me mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme”-tha Lajçak.
Takimi i fundit mes Prishtinës dhe Beogradit u zhvillua më 4 prill në Bruksel. Gjithsej palët kanë zhvilluar 4 takime pa arritur të gjejnë zgjidhje.
Qeveria e Kosovës pretendon se vendimi për heqjen e dinarit nga përdorimi në territorin e saj është çështje Kushtetuese dhe nuk mund të negociohet. Ndërkohë BE dhe SHBA kanë kërkuar shtyrjen e vendimit me qëllim që të mos penalizohen qytetarët serbë që marrin pagesa në dinar.