Komandantë iranianë po vriten/A po dobësohet Irani?

vovalbania April 15, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Komandantë iranianë po vriten/A po dobësohet Irani?

Duket se Izraeli ka intensifikuar fushatën e vrasjes së gjeneralëve dhe komandantëve kryesorë iranianë, me bazë jashtë vendit. Nga dhjetori i kaluar, sulmet e dyshuara ajrore izraelite vranë së paku 18 anëtarë të Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), dega elitë e forcave të armatosura të Iranit në Siri. Në rastin e fundit, më 1 prill, shtatë anëtarë të IRGC-së, përfshirë dy gjeneralë, u vranë në një sulm ajror në kompleksin e ambasadës iraniane në Damask. Mbrëmjen e së shtunës, sulmi nxiti përgjigjen e Iranit me dronë dhe raketa kundër Izraelit.

Ekspertët thonë se vrasjet e komandantëve iranianë synojnë të mposhtin të ashtuquajturin “bosht të rezistencës” të Iranit apo rrjetin e tij të përfaqësuesve rajonalë e të grupeve militante kundër Izraelit dhe Perëndimit.

Sipas tyre, strategjia ka të ngjarë të prishë aktivitetet e këtij rrjeti në afat të shkurtër, por është e rrezikshme e mund të dështojë në afat të gjatë. Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me qendër në Bruksel:

Rrjeti rajonal i Iranit është ngjitur së bashku përmes lidhjeve personale, jo institucionale. Eliminimi i komandantëve që kanë përvojë prej dekadash në rajon dhe një rrjet të gjerë kontaktesh personale, sigurisht e dobëson Iranin.

“Strategji e rrezikshme”

Sulmet e dyshuara të Izraelit kundër anëtarëve të IRGC-së u intensifikuan që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës, tetorin e kaluar. Në përgjigje të ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit, grupet militante të mbështetura nga Irani, sulmuan objektiva të Izraelit dhe SHBA-ve në të gjithë Lindjen e Mesme, në shenjë mbështetjeje për palestinezët.

Konflikti u shkaktua nga një sulm i paprecedentë i Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor 2023. Të paktën tre figura kyçe të krahut jashtë shtetit të IRGC-së, forcës Kuds, u vranë në sulmet e dyshuara izraelite, në muajt e fundit.

Razi Mousavi, komandant i lartë i forcës Kuds gjeti vdekjen në një sulm ajror pranë Damaskut, më 25 dhjetor. Ai ishte përgjegjës për koordinimin e aktiviteteve ushtarake të Iranit në Siri dhe Liban.

Në mesin e të vrarëve në sulmin e 1 prillit ishte gjenerali Mohammad Reza Zahedi, komandant i lartë i forcës Kuds në Siri dhe Liban. Në sulm u vra edhe zëvendësi i Zahedit, gjenerali Mohammad Hadi Haj Rahimi. Michael Horowitz, drejtues i Inteligjencës në Qendrën e Konsulencës, Le Beck International, me bazë në Bahrein, shprehet:

Ka gjithmonë dyshime nëse këto atentate të shënjestruara funksionojnë. Këto sulme mund të kenë ndikim afatshkurtër dhe afatmesëm në kapacitetet e Iranit për t’u koordinuar me përfaqësuesit e tij, për të kontrabanduar armë në Siri e Irak dhe për të kërcënuar Izraelin.

Goditja në kompleksin e ambasadës iraniane në Damask ndodhi vetëm disa orë pasi një sulm me dron përfshiu një bazë detare në portin jugor izraelit, Eilat, në Detin e Kuq. U dëmtua një ndërtesë dhe u prek një anije luftarake izraelite. Përgjegjësinë e mori Rezistenca Islamike në Irak, grup ombrellë që përfshin milici të mbështetura nga Irani.

Perceptimi im është se Izraeli donte të tregonte se ka dominim të përshkallëzimit mbi Iranin dhe se Irani nuk mund ta përshkallëzojë situatën pa paguar një çmim, thotë Horowitz. Në përgjithësi, kur një aktor dëshiron të ngrihet lart, ai e ngre rrezikun jo për një shkallë, por për dy. Sigurisht, kjo është një strategji e rrezikshme. Pyetja është nëse kjo do të funksionojë dhe Irani do të tërhiqet në një afat më të gjatë ose, në të vërtetë do të dështojë.

“Askund siguri”

Vala e fundit e vrasjeve nuk shënon herën e parë kur komandantët kryesorë iranianë shënjestrohen dhe vriten jashtë vendit. Në vitin 2020, komandanti i forcave Kuds, Qassem Soleimani, u vra në një sulm ajror të SHBA-ve në Irak. Ai shihej si arkitekti i “boshtit të rezistencës” dhe kishte ndikim të madh mbi anëtarët e tij, përfshirë Hamasin, Hezbollahun e Libanit, milicitë shiite irakiane, rebelët Huthi të Jemenit dhe qeverinë e Sirisë.

Vrasja e Soleimanit bëri që “boshti i rezistencës” të bëhej më i decentralizuar dhe disa grupe, sidomos milicitë shiite në Irak, të fitonin njëfarë autonomie. Por, ngjarja nuk e prishi ndjeshëm forcën Kuds e as nuk e shpartalloi boshtin. Disa orë pas vrasjes së Soleimanit, zëvendësi i tij, Esmail Qaani, u promovua.

Ndryshe nga rasti i vrasjes së Soleimanit, nuk ka ndonjë dorë të djathtë që të ndërhyjë menjëherë dhe ta mbushë boshllëkun. Nëse Irani nuk arrin ta rivendosë mbrojtjen kundër Izraelit, asnjë zyrtar ushtarak iranian nuk do të jetë më i sigurt, as në Siri e as në Liban.

Hakmarrja e Iranit

Për sulmin në kompleksin e ambasadës iraniane, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi më 10 prill se Izraeli “duhet të ndëshkohet dhe të dënohet”. Natën mes 13 dhe 14 prillit, Irani lëshoi mbi 300 raketa dhe dronë drejt Izraelit. Ishte hera e parë që ky vend sulmoi Izraelin direkt nga territori i tij.

Por, Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e dronëve dhe raketave të Iranit u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite. Në të kaluarën, Irani është përmbajtur nga sulmet direkte kundër Izraelit, por ka rritur mbështetjen e tij për “boshtin e rezistencës”, për ta çuar luftën në Izrael./Evropa e Lirë

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65737 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE