Vendi më i lumtur evropian për njerëzit nën 30 vjeç!
Sipas raportit të lumturisë botërore për 2024, Finlanda zë vendin e parë për të shtatën vit radhazi, ndërsa nga ana tjetër, Afganistani është vendi më i palumtur. Vendet e para në këtë listë janë qytetet europiane, ku e dyta listohet Danimarka, ndërsa në vendin e tretë në listën e 140 vendeve qëndron Islanda. Në dhjetëshen e parë përfshihet Suedia, Izrael, Holanda, Norvegjia, Luksemburgu, Zvicra dhe Australia.
Shqipëria renditet e 87-ta në këtë listë duke shënuar një rënie në lidhje me një vit më parë, ku Shqipëria renditej në vendin e 83-të. Këtë vit e përfshirë në listë është edhe Kosova, ndryshe nga Shqipëria që në këtë listë renditet nga fundi, Kosova renditet e 29-ta. Studiuesit që analizuan gjetjet zbuluan gjithashtu se ata që kanë lindur para vitit 1965 janë më të lumtur se ata të lindur pas vitit 1980.
Ndërkaq, moshat nën 30 vjeç kanë votuar për Lituaninë, sipas Raportit Botëror të Lumturisë. Antanas Kairis, një profesor i asociuar në Departamentin e Psikologjisë së Përgjithshme në Universitetin e Vilnius tha se:
Lituania rifitoi pavarësinë e saj jo shumë kohë më parë, ishte viti 1990. Kjo do të thotë se të rinjtë nën 30 vjeç e kanë kaluar jetën e tyre tërësisht në Lituani të pavarur, ndërsa grupmoshat e tjera kanë përjetuar realitetin e ashpër të Bashkimit Sovjetik.
Që atëherë, ekonomia e Lituanisë është përmirësuar, si dhe kushtet sociale, me të rinjtë që kënaqen me jetën në këtë vend evropian. Tani, ajo është e sigurt, demokratike, moderne dhe me kalimin e viteve, ajo evoluon. Kujtojmë se viti 2004 ishte viti kur Lituania u bashkua me Bashkimin Evropian.
Përsa i përket zgjedhjes së të rinjve, padyshim që nuk është e rastësishme, pasi përmirësimi i ekonomisë ka bërë të mundur hapjen e pozicioneve të reja dhe më shumë mundësi zhvillimi. Niveli i arsimimit është mjaft i lartë, gjë që lidhet me funksionimin e duhur të sistemit arsimor.
Të rinjtë në Lituani janë shumë socialë dhe i bashkohen grupeve të ndryshme, si vullnetare apo sportive. Ata ndjehen të lirë të jetojnë dhe të ëndërrojnë. Sipas të njëjtit burim, personat nën 30 vjeç janë mirënjohës për rrethanat e tyre të jetës dhe sigurohen që të shijojnë çdo moment, pa stres dhe pasiguri për të ardhmen. Natyrisht, jo të gjithë nën moshën 30 vjeç kanë të njëjtin mendim.