“Kam 4 ditë që s’e shoh djalin”- Mamaja denoncon humbjen e fëmijës 3-vjeçar, në pranga gjyshi nga babai, në kërkim gjyshja!

vovalbania April 16, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Kam 4 ditë që s’e shoh djalin”- Mamaja denoncon humbjen e fëmijës 3-vjeçar, në pranga gjyshi nga babai, në kërkim gjyshja!

Një fëmijë 3-vjeçar është deklaruar i humbur në Policinë e Durrësit. Fëmija jetonte me mamanë tij, ndërsa babai i kishte ndërruar jetë një vit më parë në një aksident rrugor. Denoncimi në polici është bërë nga mamaja e fëmijës.

Fëmija kishte shkuar tek gjyshërit, prindërit e të atit, por prej 4 ditësh nuk gjendet. Kjo ka bërë që gruaja, Ille Gjuni, ta denoncojë në polici. Kjo e fundit fillimisht ka shoqëruar gjyshin e fëmijës Rexhep Gunin 58 vjeç, i cili fillimisht ka pretenduar se fëmija ka shkuar tek të afërmit në Kukës, por nuk gjendet as atje në adresën e dhënë.

Nëna e 3 vjeçarit thotë se ka 4 ditë që nuk di se ku e ka fëmijën.

Gjyshi nuk pranon të bashkëpunojë me policinë dhe vetëm ka heshtur, ndërkohë në kërkim është shpallur gjyshja e fëmijës 3-vjeçar.

Pas vdekjes së bashkëshortit marrëdhëniet e saj me vjehrrin dhe vjehrrën nuk kanë qenë të mira. Gruaja ishte larguar nga shtëpia e burrit dhe jetonte me të atin. Mes dy familjeve kishin nisur kontradikta pasi gjyshërit kërkonin që ta rrisnin ato të voglin, ndërsa mamaja tregon se kishte pranuar që ata ta mbanin disa orë në fundjavë.

Kështu ka ndodhur dhe të shtunën e 13 prillit kur e kanë marrë në mëngjes por më pas nuk ia kanë dorëzuar. Pasi shkoi në banesë dhe e gjeti të mbyllur bëri denoncimin.

‘U bënë 4 ditë, ma kanë marrë që të shtunën në mëngjes edhe nuk ma kanë sjellë. Bashkëshorti ka 1 vit e dy muaj që ka vdekur, edhe ato duan të marrin çunin, spranonin, thonë që të rrijnë me ne. Vjehrri dhe vjehrra ua kam lënë. Disa orë, nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 3 pasdite. E kam marrë në mëngjes dhe nuk ma kanë sjellë. Pastaj kur shkova në orën 3 i marr në telefon, ku jeni pse nuk keni ardhu, thonë nuk ta sjellim më.

Shkova direkt tek policia, shkova fillimisht tek shtëpia e tij, nuk ishte dhe shkova më pas denoncova. E kanë marrë në telefon dhe u bënte presion nuk e sjell, vetëm kur të ma japin mua çunin. Kërkonte kushte, që ta marri ai që të mos dali jashtë shtetit. Ai nuk tregon se ku është, thotë se nuk e di, gënjen. Unë jam nga Dibra, ata janë nga Kukësi, duan ta mbajnë ato. Dua çunin tim. U bënë 4 ditë që nuk është këtu. Marrëdhënia me vjehrrin me vjehrrën nuk ka qenë mirë, që kur ka vdekur burri. Kam ikur te shtëpia e babit. Në Kënetë në Durrës’, ka qenë dëshmia e nënës së 3-vjeçarit.

Ndërkohë është dhënë sinjal të ruhen pikat kufitare.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. Gj., 60 vjeç, pasi më datë 13.04.2024, në këtë komisariat, është paraqitur një shtetase 23 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka kallëzuar se vjehrri i saj, shtetasi R. Gj., ka marrë fëmijën e saj 3 vjeç dhe nuk ia ka kthyer më.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. Gj., por nuk e kanë gjetur fëmijën. Vijojnë kontrollet intesive për gjetjen e tij.  Për ecurinë e kërkimeve dhe të veprimeve hetimore për këtë rast do të ketë njoftime të tjera në vijim. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, sipas njoftimit të policisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE