Një grua dyshohet se u vra nga bashkëshorti në Pejë!
Një grua dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj në banesën e tyre në Pejë.
Kështu konfirmoi Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Nikqi tha se i dyshuari është arrestuar dhe i është konfiskuar arma.
“Jemi në pritje të Institutit të Mjekësisë Ligjore që të tërheqë trupin e pajetë” nga vendi i ngjarjes, tha ai.
Osmani: Nuk kemi jetë vajzash dhe grash për të humbur
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë, dënoi vrasjen në Pejë, duke theksuar se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat.
“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.
Presidentja Osmani tha se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri, ku u diskutua për dhunën ndaj grave.
“Ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda”, shtoi Osmani.
Vrasja në Pejë është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë kur gratë dyshohet se u vranë nga partnerët apo ish-partnerët e tyre.
Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.
Mediat raportuan se dorasi ishte ish-bashkëshorti i saj.
Ndaj tij, autoritetet kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë 57 gra.