Sekuestrohet 7.500m2 tokë në Vorë, arrestohet ish-kreu i komunës Bërxullë dhe 3 të tjerë…

vovalbania April 16, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sekuestrohet 7.500m2 tokë në Vorë, arrestohet ish-kreu i komunës Bërxullë dhe 3 të tjerë…

Policia e Tiranës informoi sot për ekzekutimin e urdhërarresteve për ish kryetarin e komunës së Bërxullës, Ymer Marku, kryeplakun e fshatit Bërxullë, Agim Loci  dhe Kujtim Balliu, specialisti i Z.M.M.T, si dhe për përfituesin e pronës, Kujtim Allmeta. Ky i fundit më pas i shiti 7.500 metra katror tokën për 10.000.000 lekë të reja  “Alko Impex Construsion” shpk, e cila ka për administrator Arbër Abazin, nipin e ish-deputetit socialist, Sadri Abazi.

Operacioni u kodua “Haunting” gjatë të cilit u sekuestrua dhe sipërfaqja e tokës 7500 m2, në fshatin Bërxullë, bashkia Vorë.

Të arrestuar janë Ymer Marku, 55 vjeç, Kujtim Balliu, 65 vjeç dhe Agim Loci, 53 vjeç të tre banues në Vorë, dhe Kujtim Allmeta 60 vjeç, banues në Kombinat.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë.  Gjithashtu, në kuadër të operacionit, është sekuestruar një sipërfaqe toke 7500 m2, në fshatin Bërxullë, bashkia Vorë” informoi sot policia e Tiranës.

Skema si 7500 metra katror tokë u tjetërsua

Prokuroria e Tiranës zbardhi skemen.

E gjitha ka nisur në vitin 1998, kur toka ishte pronë e Bashkisë Vorë. Por sipas një plani të koordinuar nga Agim Loci dhe nga kryekomunari Ymer Marku, toka ka shkuar për Kujtim Allmetën. Në vitin 2005, Ymer Marku ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për disa persona, të idendifikuar vetëm me inicialet: A.A., P.A. dhe Sh.A. Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit, Agim Locin, Marku ka nënshkruar planin e rivlerësimit të këtyre pasurive.

Në vitin 2015, Kujtim Balliu specialisti i Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës ka konfirmuar kalimin e tokës tek Allmeta, e gjitha me dijeni të Ymer Markut. Po sipas Prokurorisë, Kujtim Balliu, i cili nga muaji Korrik 2011- Shtator të vitit 2015, ka qënë me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, ka përpiluar shkresat për regjistrimin e tokës dhe ka dërguar Agjencia e Trajtimit të Pronës shkresën origjinale pa numër në emër të Allmetës.

Sipas të dhënave të hetimit, asnjë dokument i lëshuar nga Balliu nuk ishte verifikuar. ‘Kujtim Allmeta, nuk mund të pajisej me AMTP pa numër datë 14.1.1996 (e falsifikuar sipas aktit të ekspertimit) pasi ishte pajisur me AMTP me nr.30 datë 06.01.1996, për pasurinë me nr.133/12, me sipërfaqe 5.100 m2 e llojit arë (sa ka qënë edhe norma për frymë), thuhet në njoftimin e prokurorisë. Por pronën e ka përfituar dhe e ka shitur më pas tek shoqëria “Alko Impex Construsion” për 10.000.000 lekë të reja, pronë e cila është venë në sekuestro.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE