Akademia e “Manchester City”-t në Durrës, Rama: Do të kemi kampus ekselent!

vovalbania April 17, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Akademia e “Manchester City”-t në Durrës, Rama: Do të kemi kampus ekselent!

Sot në Durrës u prezantua projekti i Kampusit të Akademisë së Futbollit të “Manchester City”-t, vepër e arkitektit italian Marco Casamonti dhe pjesë e zgjerimit të vazhdueshëm të klubit, krahas 8 shkollave të futbollit të Manchester City, në nivel global.

Akademia do të përdorë metodologjinë e stërvitjes së “Manchester City”-t për të ofruar edukim futbolli të klasit botëror, duke u kthyer kështu në një mundësi të artë për fëmijët dhe të rinjtë e talentuar, por edhe për futbollistët profesionistë për t’u stërvitur e për t’u promovuar në botën e madhe të futbollit.

Nga sot, admiruesit e artit të “futbollit guardiolian”, do të kenë mundësi të shohin nga afër trofetë e fituara nga “Manchester City” gjatë sezonit futbollistik 2022-2023 (të cilat erdhën në Amfiteatrin e Durrësit si pjesë e programit të Akademisë së Futbollit të Manchester City në Durrës), të ekspozuara në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.

I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama vlerësoi se ky është një tjetër stacion i një rrugëtimi të filluar disa kohë më parë, kur personalisht ka takuar CEO-n e “Manchester City”-t.

Një ndër njerëzit më gjenialë që kam pasur fatin dhe privilegjin të njoh, Khaldoon Al Mubarak të cilit i kërkova të konsiderojë mundësinë e çeljes së një akademie të “Manchester City”-t në Shqipëri dhe më pas, së bashku me Anin, ne shkuam në Manchester për të diskutuar konkretisht mbi këtë ide dhe për ta kthyer këtë nga një ide, në një projekt.

Jo vetëm kemi një kontratë për ta ndërtuar këtu këtë akademi, por kemi edhe një ekskluzivitet për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor me një kusht të kontratës që në rast se në të ardhmen do të hapet një stacion tjetër i “Manchester City”-t,  Bashkia e Durrësit do të jetë partnere edhe atje.

Rama kërkoi që Federata të promovojë këtë projekt dhe të ndihmojë me të gjitha klubet e futbollit në Shqipëri, por edhe me klubet e futbollit në rajon për të kthyer sytë dhe për të trokitur në derën e kësaj akademie.

Një shtysë frymëzuese për këtë projekt ka qenë Pablo Zabaleta, i cili është një agjent i ‘Manchester City’ brenda në strukturën e Federatës Shqiptare të Futbollit. Pablo ka qenë frymëzues në aspektin e rëndësisë së madhe që ka ky projekt, jo thjesht për topin e futbollit, por për kulturën sportive që sjell, për kulturën e komunitetit që sjell dhe patjetër edhe për modelin dhe standardet që sjell që do të jenë shtysë shumë pozitive edhe për të tjerët që janë të angazhuar në terrenin e futbollit shqiptar, me shkolla, me akademi, me klube për fëmijët e kështu me radhë.

Kryeministri vlerësoi po ashtu Marco Casamontin, si vlerë të shtuar, pasi jep mundësinë që të kemi një kampus të një ekselence arkitektonike dhe funksionale.

Ajo që pastaj është qershia mbi tortë dhe këtu është që i morëm Marco Casamontit një projekt pa lekë. Dhe të marrësh një dhuratë nga Marco, nuk është diçka e lehtë, besomëni. Me të njëjtën ambicie që bëmë stadiumin, së bashku me Federatën dhe falë partneritetit me një sipërmarrës që tregoi vërtetë aftësi të jashtëzakonshme në aspektin teknik, të bëjmë edhe këtë kampus dhe të bëjmë të gjitha impiantet e tjera që vijnë me radhë.

Kryeministri theksoi se aktualisht qeveria është e angazhuar me tre projekte stadiumesh: stadiumin e Durrësit, të Korçës e të Vlorës, të cilët janë në proces pune nga arkitektët që dolën fitues nga konkurset.

Do të jenë tri vlera të tjera të shtuara në zinxhirin e stadiumeve që po ndërtojmë, krah për krah me Federatën e Futbollit dhe në këtë rast edhe më bashkitë e këtyre qyteteve. Kjo ka lidhje me rritjen e hapësirave për rininë, për fëmijët, për t’u marrë me sport, por ka lidhje dhe me fuqizimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë si një vend ku mbijnë e do të mbijnë gjithmonë e më shumë ekselencat ndërkombëtare.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE