Rritja e pagave në shtet, vrojtimi: Vetëm 46% e bizneseve vepruan njësoj!
Vetëm 46% e kompanive deklaruan se kanë rritur pagat e punonjësve. Kjo si një formë për të reflektuar politikën që qeveria shqiptare ndoqi vitin e kaluar, duke rritur pagat e administratës në vendin tonë. Një vrojtim i Këshillit të Investimeve me 601 kompani tregon se jo të gjitha bizneset reaguan në të njëjtën mënyrë, pra njësoj. Doli se 19% nuk mendonin se duhet të ketë ndonjë ndikim dhe 39% i janë përgjigjur me “Jo” pyetjes nëse kjo masë e qeverisë ka prekur pagat në kompaninë e tyre.
Këto të dhëna janë pjesë e vrojtimit të Sekretariatit mbi Sfidat e Sektorit Privat, të lidhura me informalitetin, produktivitetin e gjithashtu inovacionin.
Konkretisht, trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve, bashkë me pagat dhe bashkëpunimin me bizneset e huaja cilësohen si masat kryesore nga biznesi për të rritur produktivitetin.
Rritja e pagave është bërë pjesë e debatit ku mungesa e punonjësve ka nxitur disa industri që të reagojnë, duke i rishikuar dukshëm edhe pse kjo mungesë tashmë është bërë evidente për çdo industri. Por, rritja e pagave të administratës ishte dukshëm më e shpejtë dhe më e lartë se biznesi, një ritëm që ky i fundit nuk ka pasur mundësi ta ndjekë edhe pse cilësohet si një nga elementët që mund të rrisë produktivitetin.
Në qershor të vitit të kaluar, qeveria shqiptare vendosi që të rriste pagat për specialistët e nivelit të ulët në administratën publike me nga 12-20 mijë lekë në muaj e në disa nivele, edhe dyfish, ndërsa për infermierët e mësuesit, rritja e pagave ishte 3 mijë e 600 lekë në muaj (7%).
Një tjetër rritje pagash parashikohet që të vijojë edhe këtë vit sa i takon administratës në Shqipëri. Pak javë më parë, ministri i Financave, Ervin Mete deklaroi se Buxheti i vitit 2024 do të vijojë mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave duke bërë të mundur që brenda këtij viti, të mund të realizohet objektivi i vendosur për një nivel page mesatare prej 900 eurosh në muaj.
Ministri Ervin Mete, po ashtu do të theksonte se brenda muajit prill do të detajohen vendimet për të specifikuar rritjen e parashikuar të pagave për punonjësit e sektorit publik në vend./Monitor