Kosova jep informacione për zyrtarin serb të Kosovës të ndaluar në Serbi!
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se në bazë të informacioneve që kanë autoritetet, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç është dërguar në paraburgim prej 48 orësh nga autoritetet serbe. Jankoviç, i cili u ndalua më 17 prill në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, që lidh Kosovën dhe Serbinë, sipas Sveçlës, po akuzohet për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.
Gjatë një konference për media, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Sveçla tha:
Një ditë më parë, së paku 1.498 qytetarë janë ndaluar, maltretuar, e disa arrestuar e marrë në pyetje lidhur me të kaluarën e tyre, lidhjet e tyre me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyre në UÇK apo të familjarëve të tyre si dhe vendndodhjes apo veprimtarisë së tyre më 1998-99.
Sveçla bëri thirrje për lirimin e Jankoviçit e të qytetarë të tjerë, “pasi që sipas informacione të tjera, ka edhe qytetarë që po mbahen të arrestuar”. Ministri i Brendshëm shtoi se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është duke u interesuar për shëndetin e Jankoviçit dhe që t’i ofrohet mbrojtja e duhur ligjore.
Gjatë konferencës, Kurti u pyet nëse Serbia duhet të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar për këto veprime.
Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë, dhe unë uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme, të brendshme të saj, që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqesë një etapë të re, në të cilët do të kuptohet se Kosova është shteti demokratik, Kosova është në të drejtën, që respekton lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Ndërkaq, Serbia praktikisht është shtet mafioz.
Ndërkaq, më herët gjatë ditës së sotme, Kurti u shpreh se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë, Jankoviç.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë e Kroacisë.
Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi.