Blinken: Nuk mund të mbështesim operacion të madh ushtarak në Rafah!
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me ofensivën e planifikuar ushtarake të Izraelit në Rafah duke theksuar se “nuk mund të mbështesin një operacion të madh në qytetin jugor të Rripit të Gazës”. Gjatë një konference për shtyp pas takimit të G7-ës në Itali, kryediplomati i Uashingtonit u shpreh:
Ne kemi qenë shumë të qartë për këtë, presidenti Joe Biden ka qenë shumë i qartë për këtë. Ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh ushtarak në Rafah. Ofensiva e madhe ushtarake do të kishte pasoja të tmerrshme për popullatën e zhvendosur në Rafah.
Izraeli thotë se do të pushtojë qytetin Rafah, ku 1,4 milion njerëz janë strehuar nga lufta që filloi pas inkursionit ndërkufitar të Hamasit të 7 tetorit të kaluar, pavarësisht protestave ndërkombëtare.
I pyetur për sulmin e raportuar si të Izraelit ndaj Iranit, Blinken tha:
Unë nuk do të flas për këtë, përveçse të them se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë të përfshira në asnjë operacion sulmues.
Referuar raportimeve mediatike, dje në mëngjes, Izraeli kreu një sulm ndaj Republikës Islamike. Teherani zyrtar tha se nuk kishte dëme dhe se rrëzoi tre dronë mbi Isfahan. Tensionet u përshkallëzuan pas sulmit hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit. Iranianët patën thënë se Izraeli do ta paguajë bombardimin e konsullatës së Iranit në Siri ku mes të vrarëve ishin edhe dy gjeneralë të lartë të regjimit iranian.
Shpërthime u raportuan mëngjesin e djeshëm, në ditëlindjen e 85-të të liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në afërsi të qytetit të Isfahanit, me raportime të paqarta për shkakun. Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, i tha medias amerikane NBC News se “Teherani po heton incidentin”. Ai paralajmëroi se nëse Izraeli sulmon sërish, Irani do të përgjigjet menjëherë “në nivel maksimal”.
Nëse Izraeli hakmerret, atëherë ne do të përgjigjemi. Por, nëse jo, ne e kemi mbyllur punën.
Ndërkaq, shtoi se nuk ka sinjale për të dëshmuar se ky veprim u bë nga Izraeli.
Dronët u lëshuan nga brenda Iranit, fluturuan për disa qindra metra dhe më pas u rrëzuan nga sistemet tona të mbrojtjes ajrore. Nuk ka prova mbi një lidhje mes tyre dhe Izraelit. Dy apo tre, ishin pak a shumë si lodra me të cilat luajnë fëmijët tanë e jo dronë.