Java e 32-të e Superligës, njihuni me tre sfidat e sotme!
Java e 32-të e Superligës Shqiptare të Futbollit, sot luhen tre takime dhe që nisin në orën 15:00 me sfidën Laçi-Egnatia, ndërsa më 18:00 përballen Partizani-Dinamo City në “Air Albania” e Teuta-Vllaznia. Në rast fitoreje për të dyja, durrsakët ngjiten në vendin e 7-të dhe shkodranët afrohen me kreun. Sa i përket ndeshjes së parë, rrogozhinasit janë disi më komodë për shkak të renditjes ku ndodhen. Nga ana tjetër, kurbinasit duan të afrohen me vendin e 6-të. Ndërkaq, lidhur me derbin në “Air Albania”, parashikohet një duel shumë i luftuar. Të kuqtë do të kërkojnë vendin e dytë, por në rast se humbasin, blutë marrin vendin e tretë.
Tirana dhe Skënderbeu, respektivisht fituan me rezultatin 2-0 përballë Erzenit e Kukësit, në ndeshjet e zhvilluara dje në drekë. Të impenjuar në transfertë ndaj Erzenit, bardheblutë arritën të merrnin pikë të plota, falë golave të shënuar nga Abazaj në minutën e ’19 e Jonuzit në të ’60-ën. Ndërkohë, Erzeni humbi një shans të artë për të shënuar. Amir Kahrimanoviç gaboi nga pika e bardhë e 11 metërshit, në minutën e ’54-rt kur rezultati ende ishte 1-0 për Tiranën. Kjo fitore i ngjiti bardheblutë në kuotën e 46 pikëve, aq sa edhe Dinamo City i vendit të katërt. Beteja për “Final Four”, duket gjithnjë e më e ndezur.
Skënderbeu konfirmoi formën e mirë e në transfertë ndaj Kukësit mori tri pikët falë një dygolëshi të Rashicës. Fillimisht, në minutën e ’33-të, nga pika e bardhë e 11 metërshit, ai dërgoi topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, skuadra hipotekoi fitoren në minutën e ’68-të ku sërish ishte Rashica, i cili gjunjëzoi portierin kundërshtar. Kukësi dhe Erzeni me humbjet e regjistruara dje janë me një këmbë në kategorinë inferiore.
Ndeshjet e javës së 32-të
19/04/2024
Kukësi-Skënderbeu 0-2
Erzeni-Tirana 0-2
20/04/2024
Ora 15:00 Laçi-Egnatia
Ora 18:00 Partizani-Dinamo City
Ora 18:00 Teuta-Vllaznia
Klasifikimi:
Egnatia 57 Pikë
Vllaznia 51 Pikë
Partizani 48 Pikë
Tirana 46 Pikë*
Dinamo City 46 Pikë
Skënderbeu 44 Pikë*
Laçi 38 Pikë
Teuta 37 Pikë
Erzeni 31 Pikë*
Kukësi 26 Pikë*
*Tirana, Skënderbeu, Erzeni dhe Kukësi janë një ndeshje më shumë