Rënie e madhe e shitjeve të makinave elektrike dhe ato me naftë!
Shitjet e automobilave të reja në Evropë ranë 2.8% në mars të vitit 2024 nga marsi i vitit të kaluar pasi prodhuesit e automjeteve, përfshirë Volkswagen Group dhe Stellantis, u përballën me kërkesë më të dobët, veçanërisht për automjetet elektrike. Regjistrimet e automjeteve të reja ranë në 1.38 milion njësi të shitura muajin e kaluar në tregjet e Bashkimit Evropian, EFTA dhe Britanisë së Madhe.
Shitjet e makinave elektrike ranë 11% krahasuar me marsin e vitit të kaluar, pasi konsumatorët në Gjermani, Suedi dhe Norvegji u ‘ftohën’. Rënia, pjesërisht për shkak të Pashkëve, ishte e dyta në katër muaj dhe nënvizon presionin me të cilin po përballen prodhuesit e automjeteve mes normave më të larta të interesit, rritjes më të dobët ekonomike dhe heqjes graduale të subvencioneve bujare për të rritur kërkesën për automjete elektrike.
Trendi po detyron disa prodhues tradicionalë të automjeteve të rishqyrtojnë se kur do të heqin dorë nga motorët me djegie të brendshme dhe të tjerë kanë hequr dorë nga qëllimet e automjeteve elektrike. Shitjet e automjeteve elektrike në Itali ranë 34% muajin e kaluar pasi blerësit u ndalën në blerjet në pritje të subvencioneve të reja të mundshme që po konsideroheshin nga qeveria.
Shitjet e automjeteve elektrike në Gjermani ranë me 29%, megjithëse prodhues të tillë si VW prezantuan zbritjet e tyre në një përpjekje për të kompensuar mungesën e subvencioneve. Shitjet e automjeteve hibride plug-in u rritën me 0.7%, duke tejkaluar jo vetëm makinat elektrike, por edhe modelet me benzinë. Shitjet e makinave me benzinë ranë me 8%, ndërsa regjistrimet e makinave me naftë ranë me 18%. Në përgjithësi, automjetet me benzinë kanë peshën më të madhe me 35.4% të tregut dhe makinat elektrike kanë 13% të tregut.
Sipas vlerësimit të kompanisë konsulente Berylls, e specializuar në industrinë e automobilave, makinat elektrike, të cilat vijnë në tregun e automjeteve të përdorura me një periudhë mesatare ruajtjeje prej tre vjetësh, si makina me qira kushtojnë fillimisht 43600 euro. Një makinë elektrike trevjeçare e përdorur me 60 mijë kilometra të përshkuara humbi një vlerë mesatare prej 57%, ose 24,800 euro, gjatë asaj periudhe.