Me shpejtësi pranë vizave të bardha, makina përplas për vdekje 17 vjeçarin në Fushë-Krujë!

vovalbania April 21, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Me shpejtësi pranë vizave të bardha, makina përplas për vdekje 17 vjeçarin në Fushë-Krujë!

Aksident rrugor me vdekje në Fushë-Krujë, në lagjen “Bakushe Visha”. Një 17-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet tip “Hyundai”, teksa kalonte rrugën, pranë vizave të bardha. Policia shoqëroi drejtuesin e makinës.

Njoftimi policor:

Rreth orës 21:30 (20.04.2024), në Fushë Krujë, automjeti me drejtues shtetasin A. K., ka aksidentuar me pasojë vdekjen një të mitur 17 vjeç. Shtetasi A. K. është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe më të cilën po lëvizte automjeti, duke kaluar normën e përcaktuar për qarkullimin në zonën ku ndodhet edhe një shkollë 9-vjeçare.

Ndonëse kanë ardhur në ulje, vdekjet nga aksidentet rrugore në Shqipëri vijojnë që të mbeten ndër më të lartat në Europë. Sipas shifrave të INSTAT-it, në vitin 2022, 164 persona humbën jetën nga aksidentet me makinë ose 59 vetë për 1 milion banorë. Kjo shifër është më e lartë edhe se mesatarja e Bashkimit Europian prej 46 viktimash për 1 milion banorë, referuar të dhënave të publikuara nga Eurostat-i.

Në total, Shqipëria renditet e gjashta, pas Rumanisë që mban rekordin me 86 vdekje për 1 milion banorë, Bullgarisë (me 78), Kroacisë (me 71), si dhe Portugalisë (me 60). Nuk ka të dhëna të fundit për vendet e rajonit, por statistikat e mëparshme referojnë se numri i tyre është më i ulët se në Shqipëri. Por, një zhvillim pozitiv është se numri i viktimave nga aksidentet rrugore në Shqipëri ka ardhur në rënie të ndjeshme në vitet e fundit.

Në vitin 2022 u shënuan 164 humbje jete, që është edhe shifra më e ulët e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2000, kur raportohen të dhënat. Sipas INSTAT-it, rreth 70-80% e aksidenteve shkaktohen nga drejtuesit e mjeteve. Grupmoshat e reja 25-34 vjeç janë në përgjithësi më të pakujdesshmit.

Sipas Eurostat-it, 20 mijë 653 persona humbën jetën nga aksidentet e trafikut rrugor në Bashkimin Europian gjatë vitit 2022, duke shënuar një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2021 (19 mijë e 917 viktima). Numri i viktimave është rritur për dy vite radhazi pas rënies së paprecedentë në vitin 2020 (18  mijë e 833), vit ku kufizimet e COVID-19 prekën transportin e pasagjerëve.

Shkalla me e lartë e vdekshmërisë rrugore u regjistrua në shtetin rumun, ndërsa më e ulëta në Suedi. Në vitin 2022, në Bashkimin Europian, Bashkimi Europian kishte mesatarisht 46 viktima në trafikun rrugor për 1 milion banorë. Duke marrë në konsideratë popullsinë e çdo vendi të Unionit, shkalla më e ulët e vdekjeve në rrugë në vitin 2022 u regjistrua në shtetin suedez (me 22 vdekje rrugore për 1 milion banorë), i ndjekur nga Danimarka ( me 26), si dhe Irlanda (me 31).

Ndërsa normat më të larta u regjistruan në Rumani, vend që kryeson (me 86 vdekje rrugore për milion banorë), i ndjekur nga Bullgaria (me 78) e më tej, Kroacia (me 71).

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE