Siguria rrugore në Tiranë, 17 të arrestuar në 1 javë, mijëra gjoba!
Siguria në rrugët e Tiranës, “Rrugorja” nuk është kursyer as në javën që po lëmë pas, duke kryer 17 arrestime për vepra penale në qarkullim e ka vendosur mijëra gjoba. Gjashtë prej të arrestuarve u kapën në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ndërsa pesë të tjerë për korrupsion aktiv ndaj zyrtarëve publikë.
Po ashtu, Policia Rrugore e kryeqytetit njofton edhe se ka vendosur më shumë se 12 mijë e 300 gjoba, pjesa dërrmuese e tyre, afro 9 mijë, për qëndrim të gabuar. Masa administrative pati gjithashtu për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, përdorim celulari gjatë drejtimit, mosvendosje të rripit të sigurimit e të kaskës mbrojtëse, si edhe për mosdhënie përparësi këmbësorëve.
Njoftimi zyrtar i Policisë Rrugore Tiranë:
Gjatë kësaj jave janë marrë masa të rrepta për të garantuar sigurinë në rrugë, përfshirë arrestime dhe masa administrative të ndryshme:
17 arrestime për vepra penale në qarkullimin rrugor:
Gjashtë persona të arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur, sipas nenit 291 të Kodit Penal.
Dy drejtues mjetesh të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur.
Një person i arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Një drejtues mjeti i arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Një drejtues motorri i proceduar për drejtim pa leje.
Pesë persona të proceduar për korrupsion aktiv ndaj zyrtarëve publikë.
Një drejtues mjeti i arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, drejtim në gjendje të dehur, largim nga vendi i ngjarjes, si dhe pengim i zbulimit të së vërtetës.
Masa administrative:
Janë vendosur 12 mijë e 315 masa administrative gjatë javës, me theks të veçantë në:
774 masa për tejkalim të shpejtësisë së lejuar
279 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit
470 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit
234 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse
403 masa për mosdhënie përparësi këmbësorëve
8 mijë e 732 masa për qëndrim të gabuar.
Ndonëse kanë ardhur në ulje, vdekjet nga aksidentet rrugore në Shqipëri vijojnë që të mbeten ndër më të lartat në Europë. Sipas shifrave të INSTAT-it, në vitin 2022, 164 persona humbën jetën nga aksidentet me makinë ose 59 vetë për 1 milion banorë. Kjo shifër është më e lartë edhe se mesatarja e Bashkimit Europian prej 46 viktimash për 1 milion banorë, referuar të dhënave të publikuara nga Eurostat-i.