Guvernatori Sejko dhe ministri Mete takim me BB dhe FMN: Mbështetje për reformat!

vovalbania April 22, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Guvernatori Sejko dhe ministri Mete takim me BB dhe FMN: Mbështetje për reformat!

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupi i Bankës Botërore (BB) në mbledhjet e Pranverës në Uashington kanē vlerësuar ekonominë shqiptare dhe kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur reformat.

Në këto mbledhje marrin pjesë ministrat e Financave të vendeve anëtare, guvernatorë të bankave qendrore, drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile.

Shqipëria u përfaqësua në këto takime nga një delegacion i përbashkët i përbërë nga Ministri i Financave, z. Ervin Mete, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, si dhe drejtues të tjerë të lartë të dy institucioneve.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së, Ministri Mete dhe Guvernatori Sejko i njohën të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, reformat e ndërmarra, si edhe pritshmëritë për periudhën në vazhdim.

Ata theksuan se Shqipëria po kalon një momentum të mirë ekonomik. Viti 2023 u mbyll me uljen e mëtejshme të borxhit publik, i cili zbriti në nivelin 59.2%, shifra rekord të investimeve të huaja direkte, të cilat arritën në afro 1.5 miliardë euro, me një numër të lartë vizitorësh të huaj, trend i cili ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, si edhe me norma të ulëta të papunësisë. Gjithashtu sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe me norma të larta likuiditeti.

Përballë një konteksti global të karakterizuar nga rritja e shpejtë e çmimeve, e pasigurisë dhe e kostove të financimit,  vendi ynë ka arritur të sigurojë ritme pozitive të rritjes ekonomike, të punësimit e të pagave, progres në drejtim të reduktimit të inflacionit, si dhe ka ruajtur stabilitetin e përgjithshëm ekonomik dhe financiar.

Inflacioni ka zbritur në objektivin e Bankës së Shqipërisë brenda një kohe relavitisht të shpejtë, duke arritur në 2.3% në muajin mars, kjo edhe si pasojë e ndërhyrjeve dhe politikës monetare të ndjekur nga BSH, që ka patur si objektiv amortizimin e goditjeve dhe zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste.

Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga autoritetet shqiptare.

Ata veçuan si një zhvillim pozitiv rritjen e vlerësimit për herë të parë të agjencisë Standard&Poor’s për kreditin e Shqipërisë, i cili u pasua nga një rishikim në rritje i perspektivës edhe nga agjencia Moody’s, si edhe theksuan se dalja e vendit nga lista gri e FATF/MONEYVAL është gjithashtu një lajm me efekte shumë pozitive për Shqipërinë.

Ata vlerësuan përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian si dhe sa i përket përballimit me sukses të goditjeve të njëpasnjëshme, ku edhe sipas vlerësimeve të FMN Shqipëria rezultoi një nga ekonomitë më rezistente në rajon.

Gjithashtu përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht trendin e ndjekur nga ekonomia shqiptare dhe ecurinë e treguesve dhe parametrave kryesorë makroekonomikë.

Pala shqiptare falënderoi përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së për asistencën teknike dhe mbështetjen e vazhdueshme përmes financimit të projekteve konkrete të zhvillimit.

Ministri u shpreh se vëmendje i është kushtuar mbështetjes në vazhdimësi të kapitalit njerëzor dhe me asistencën e Bankës Botërore synohet të analizohen të gjithë komponentët e mbrojtjes sociale. Gjithashtu, në fokus do të jenë projektet në mbështetje të turizmit dhe sektorëve të tjerë prioritarë të ekonomisë.

Guvernatori Sejko theksoi se mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar dhe investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e sistemit të pagesave, në inovacionin dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare, kanë kontribuuar në zhvillimin e sektorit financiar dhe forcimin e stabilitetit të vendit.

Pala shqiptare u shpreh se integrimi ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Evropian nis me sistemet dhe shërbimet e pagesave. Falë pjesëmarrjes së Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro i njohur ndryshe si SEPA, po vendosen themele të sigurta për përshpejtimin e shkëmbimeve në planin ekonomik.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE