Zyrtare/BE-ja kushtëzon integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën!

vovalbania April 22, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Zyrtare/BE-ja kushtëzon integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën!

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian miratoi vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, ku zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

Në tekstin e ri të kornizës negociuese, si kusht është vendosur fjalia:

Serbia zbaton plotësisht detyrimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç u ra dakord më 18 mars 2023.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë, ndërsa më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të akordit.

Komisioni Europian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), që i kishin propozuar këto ndryshime, e mirëpritën vendimin e Këshillit të Ministrave. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano:

Të dyja palët pranuan detyrimet përkatëse se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre të integrimeve europiane. Zbatimi i Aneksit të arritur në mars të vitit 2023 reflekton këtë detyrim të palëve.

Stano konfirmoi se edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”.

Edhe axhenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizim për Kosovën do të përditësohet. Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha detyrimet e tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është kyçe për rrugëtimin e tyre europian.

Dakordësinë për këto ndryshime e arritën ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, javën e kaluar. Ky ndryshim ishte kërkuar për të përfshirë edhe detyrimin mbi zbatimin e marrëveshjes nga dialogu i Serbisë me Kosovën, si kusht në kuadër të kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit që kur ishte arritur marrëveshja para një viti.

Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Beogradit në BE, por tani në mënyrë specifike përmendet kushti i zbatimit të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjera përfshin edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë e njohje reciproke të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja insiston se marrëveshja dhe aneksi, pavarësisht se nuk janë nënshkruar nga palët, janë detyrime ligjore për të dyja vendet. Serbia ka thënë se nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65730 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE