Hapet në Elbasan qendra për kërkimin shkencor në sektorin minerar, Balluku: Lëvizje demografike ka në gjithë Europën pas pandemisë, të rinjtë po kthehen!
Në Elbasan është ngritur Qendra Rajonale e Inovacionit të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para (EIT Raë Materials Regional Innovation Center).
Kjo Qendër, e vetmja në Ballkanin Perëndimor, synon të nxisë kërkimin shkencor në sektorin minerar, vazhdimësinë e eksplorimeve, zbulimin dhe përpunimin e lëndëve të para, duke u mbështetur në inovacion. Gjithashtu kjo Qendër do të shërbejë për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave mes profesionistëve e ekspertëve shqiptarë dhe atyre të Bashkimit Europian në kërkim-zbulimin dhe përpunimin e lëndëve minerare, veçanërisht të atyre me rëndësi strategjike.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në fjalën e saj tha se kjo qendër do të ricitalizojë një nga sektorët më të rëndësishëm, atë të minear.
“Unë gjithmonë them që Zoti ka qenë bujar me vendin tonë, një vend i vuajtur padyshim dhe me një histori të gjatë, por që Zoti nuk i ka kursyer asgjë, as malet, as kodrat, as detin, as koriet, as brigjet, por mbi të gjitha nuk i ka kursyer nëntokën e pasur, të cilën me ato mundësitë tona të kufizuara jemi munduar t’i marrim gjithçka, por ka qenë vetëm bazuar mbi dëshirën e mirë të kërkuesve, profesorëve apo dhe kontribuuesve të tjerë të sektorit, pa pasur një mbështetje të mirëfilltë dhe padyshim pa pasur teknologjinë dhe mjetet inovative të cilat sot disponojmë”, tha Balluku.
Për shkak të situatës së vështirë kohët e fundit, ministrja thotë se fokusi kryesor i qeverisë apo edhe i qeverive të tjera në Europë dhe me gjerë, nuk ka qenë padyshim tek sektori minerar, “por, ama kemi marrë edhe ne mësimet tona”, thotë ajo.
“Filluam të kuptojmë që edhe vendet e vogla, siç është Shqipëria dhe këtë ka filluar ta kuptojë Bashkimi Europian, ne e kemi ditur, mund të jenë shumë të rëndësishme për kontributin e industrisë minerare dhe si rrjedhojë e lëndës së parë që mund të përdoret nga industria automotive sot dhe deri tek burimet e energjisë së rinovueshme. Kjo lëndë e parë kaq e rëndësishme mund të ndodhet edhe në një sipërfaqe të vogël, ashtu siç është Shqipëria, vetëm 28 mijë kilometra katrorë, por me pasuri të jashtëzakonshme që ju e dini shumë më mirë se unë.
Sot është një ditë e shënuar pasi të gjithë së bashku me kontributin tuaj, me fokusin e qeverisë shqiptare dhe padyshim edhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, si një partner strategjik i vendit tonë, kemi arritur në një ditë të shënuar për të qenë të gjithë këtu së bashku dhe për të hapur një fole të re, një inkubator të ri të ideve, të kërkimeve akademike, të nxitjes të një sektori që është sektori minerar në Republikën e Shqipërisë. E gjitha kjo do të ndodhë falë Qendrës Rajonale të Inovacionit të Institutit Europian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para, duke shënuar kështu një gur kilometrik në zhvillimin e industrisë minerare në vendin tonë.
Kjo Qendër, duhet theksuar se është e vetmja në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë falënderojmë të gjithë kolegët tanë të Bashkimit Europian që zgjodhën Shqipërinë. Kanë zgjedhur vendin e duhur. Kanë zgjedhur një vend, ku siç ju thashë, Zoti ka qenë bujar, por përveç lëndës së parë që ndodhet në nëntokën Shqiptare, zoti e ka pajisur këtë vend me njerëz të cilët kanë një rezistencë të jashtëzakonshme ndaj vështirësive, kanë një pasion të jashtëzakonshëm për të sjellë risinë dhe mbi të gjitha e duan vendin e tyre. Pavarësisht se çfarë thuhet për këto lëvizjet demografike, ju siguroj që lëvizje demografike ka për shkak të post pandemisë në të gjithë botën. Por, përsa kohë ne kemi djemtë dhe vajzat tona të cilët kthehen në Shqipëri, duke e zgjedhur si një zgjedhje të fundit dhe më të mirën për ta, nuk ka asgjë të keqe që të lëvizin, të shkojnë jashtë, të pajisen me eksperiencën që duhet dhe të kthehen këtu për të kontribuar.
Kjo Qendër përveç nxitjes të kërkimit dhe zbulimit, patjetër do të kthehet në një inkubator për të rritur profesionistët e rinj. Profesionistët e rinj të cilët do të kenë mundësi të kontribuojnë në sektor, por duke bërë një fuzion të jashtëzakonshëm me të gjithë profesorët, akademikët, apo kontributorët e tjerë të sektorit që ne i kemi me shumicë, nëse i kemi harruar herë pas here më lejoni t’ju kërkoj ndjesë, por unë personalisht jo dhe Ministria e Infrastrukturës, jo. Edhe drejtorët që kanë punuar me mua prej kohësh, siç është Mehmet Hasalami këtu, nuk i kemi harruar për asnjë moment dhe është e rëndësishme të thuhet që nuk ka asgjë më të rëndësishme se fuqia njerëzore. Se kapacitetet njerëzore, të cilat janë të vyera dhe janë në fokus dhe në qendër të vëmendjes së Qeverisë Shqiptare.
Viti 2024, e kemi thënë që në muajin janar, është një vit ku qeveria shqiptare ka vendosur në fokus të saj padyshim kapitalin njerëzor. Kapitali njerëzor si një pasuri e vyer për vendin, si diçka e pazëvendësueshme nga teknologjia dhe nga inovacioni, por pa lënë mënjanë këto dy të fundit. Ky është viti i parë ku ne kemi ngritur në vendin tonë një qendër të dedikuar të inovacionit, është multisektoriale e cila do të mbulojë të gjithë sektorët, siç do të mbulojë energjinë e rinovueshme, fushat minerare, transportin, infrastrukturën kritike, shëndetësinë, arsimin dhe gjithçka tjetër, por që do të bashkëpunojë ngushtësisht me këtë Qendër të re të krijuar këtu.
Unë dua të gjej rastin dhe të falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë nga tetori në tryezat e diskutimeve të gjera pasi kanë krijuar bazën e parë për krijimin e kësaj Qendre. Dua të falënderoj Linda Pustinën veçanërisht, e cila si një forcë e natyrës që është, pavarësisht se sot ka vendosur që të drejtojë një sektor tjetër po kaq interesant për zhvillimin ekonomik dhe sfidues do të thoja, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e kësaj Qendre. Dua të falënderoj profesoreshën, Ledia. Ka qenë një sfidë shumë e madhe që ta bindnim që të na bashkohej duke qenë se kishte vendosur që të merrej me karrierën akademike, po ku më mirë se në këtë Qendër mund të zhvillohet kjo karrierë akademike.
Dua të falënderoj ambasadorin Gonzato për të gjithë kontributin që ka dhënë gjatë kësaj periudhe dhe padyshim dua të falënderoj edhe Bernd Schäfer, që do të marrë fjalën pas meje, pasi unë them gjithmonë që punët e mira bëhen me shokë të mirë. Askush nga ne nuk ja del nëse është një ishull që të realizoj punë të mira apo qëllime të mëdha.
Nda të gjithë së bashku, ashtu siç jemi sot kështu, tashmë duke përdorur këtë fole të re të Inovacionit dhe të Teknologjisë për Lëndët e Para unë do t’ju uroja punë të mbarë dhe me krahë të lehta pa harruar këtu të falënderoj thellësisht Rektoratin e Elbasanit për të gjithë kontributin që na ka dhënë dhe sidomos mikun tim, Profesor Topin.
Unë shpresoj që ashtu siç ju na ndihmuat dhe na dhatë këto ambiente për të hapur këtë fole të re të Inovacionit dhe të Teknologjisë për Lëndët e Para, edhe ne t’ju ndihmojmë juve duke ju dhënë akses studentëve tuaj në ambientet tona të cilat me të vërtetë ishin shumë të këndshme, të ngrohta dhe akomoduese për ato ide të reja që do vijnë.
Shqipëria, siç ju thashë, është një vend i pasur me gjithçka që zoti e ka pajisur, por mbi të gjitha është një vend i pasur me njerëzit që jetojnë këtu”, tha më tej Balluku.