Detaje të reja nga dëshmia e ish botuesit të “National Inquirer” në gjyqin ndaj ish presidentit Trump!
Detaje të reja nga dëshmia e ish botuesit të “National Inquirer” në gjyqin ndaj ish presidentit Trump
Ai tha se si i premtoi kandidatit të atëhershëm republikan se do të ndihmonte që të mos bëheshin publike historitë që mund ta dëmtonin atë dhe madje orkestroi blerjen e historisë së një personi pa pasur synimin ta botuar, në mënyrë që ajo të mos bëhej publike.
Me dëshminë e David Peckerit, prokurorët syonin të përforconin argumentet e tyre për miqësinë e ngushtë prej disa dekadash mes zotit Trump dhe ish-botuesit të “National Enquirer”. Kjo miqësi kulmoi me një marrëveshje për t’i dhënë avokatit të zotit Trump informacion mbi mbulimet e mundshme negative në media, në mënyrë që ato të mos publikohen.
Kjo përpjekje, sipas prokurorëve, ishte një mënyrë për të ndikuar në mëmyrë të paligjshme në zgjedhje. Ky është rasti i parë penal me të cilën përballet ish Presidenti amerikan nga katër çështjet me të cilat ai përballet.
Kandidati i pritshëm republikan për President në garën e këtij viti përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me pagesat që dyshohet se janë bërë në këmbim të heshtjes për histori që po të bëheshin publike mund ta dëmtonin gjatë fushatës së vitit 2016.
Ndërsa ish Presidenti Trump ishte i ulur vetëm disa metra larg në sallën e gjyqit, zoti Pecker, dëshmitari i parë në këtë rast, foli me detaje për rolin e tij në prapaskenë në ngritjen e zotit Trump nga një i sapoardhur në politikë në kandidatin që arriti të marrë emërimin e partisë në garën për Shtëpinë e Bardhë. Ai shpjegoi se si ai dhe “National Enquirer” botoi shkrime tabloidësh që njollosnin kundërshtarët e zotit Trump, me të dhëna të dyshimta. Ata gjithashtu përdorën lidhjet e tij për të bllokuar historitë dëmtuese kundër zotit Trump, përfshirë pretendimin e një aktoreje të filmave për të rritur për një marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore me kandidatin republikan për President, vite më herët.
Zoti Pecker tha se origjina e miqësisë me ish Presidentin fillon nga një takim në vitet 1980 në pronën zotit Trump Mar-a-Lago në Florida dhe shtoi se miqësia e tyre lulëzoi krahas suksesit të programit televiziv të zotit Trump, “The Apprentice”.
Lidhjet e tyre u forcuan gjatë një takimi në muajin gusht të vitit 2015 në Kullën Trump gjatë të cilit ish Presidenti, ish-avokati i tij personal Michael Cohen dhe këshilltarja, Hope Hicks, e pyetën zotin Pecker se çfarë mund të bënin ai dhe botimet që ai drejtonte, për fushatën.
Zoti Pecker tha se ai doli vullnetar për të publikuar histori pozitive për zotin Trump dhe histori negative për kundërshtarët e tij. Kjo nuk ishte e tëra, tha ai, duke iu treguar anëtarëve të jurisë së i kishte thënë zotit Trump: “Unë do të jem sytë dhe veshët e tu”.
“Unë thashë se nëse dëgjoj ndonjë gjë negative për ju, ose nëse marr vesh ndonjë gjë për gratë që janë të gatshme të shesin historitë e tyre në lidhje me ish Presidentin, do të njoftoja ish avokatin e zotit Trump, Michael Cohen”, në mënyrë që të drejtat mbi ato histori të bliheshin dhe ato të mos dilnin kurrë publikisht.
“Kjo u bë që ato të mos publikohen?”, pyeti prokurori Joshua Steinglass.
“Po, që ato të mos publikoheshin”, u përgjigj zoti Pecker.
Për të sqaruar më tej këtë çështje, prokurorët shfaqën imazhe të titujve të ndryshëm që “National Enquirer” publikoi për zotin Trump, përfshirë “Donaldi Mbizotëron!” dhe “Ekskluzive: Donald Trumpi siç nuk e njeh askush”. Jurisë iu shfaqën gjithashtu histori nënçmuese dhe të pazakonta për kundërshtarët e zotit Trump, përfshirë ish kandidatët e tjerë republikanë për President si Ben Carson dhe Senatorin Marco Rubio.
Zoti Pecker e karakterizoi ish avokatin Cohen si një redaktor në hije të artikujve pro-Trump në “National Enquirer”, duke e drejtuar tabloidin që gjithashtu të sulmonte kandidatët republikan që tregonin sukses të vrullshëm në garën e brendshme partiake në vitin 2016.
“Michael Cohen me telefononte duke më treguar mua dhe Dylan Howardit me cilin kandidat të merreshim dhe në çfarë mënyre ta trajtonim”, tha Pecker, duke iu referuar redaktorit të atëhershëm të tabloidit.
Ai tha se ia kishte bërë të qartë zotit Howard se marrëveshja me zotin Trump ishte “shumë, shumë sekrete”. Ai tha se donte që përgjegjësit e redaksive të tabloidit të ishin në vëzhgim për çdo histori që përfshinte zotin Trump dhe tha se donte që ata të verifikonin historitë përpara se të njoftonin avokatin Michael Cohen.
“Nuk doja që dikush tjetër të dinte për këtë marrëveshje që kisha dhe çfarë doja të bëja”, shtoi ish-botuesi Pecker.
Michael Cohen e pranoi se ishte fajtor në vitin 2018 në lidhje me akuzat federale për rolin e tij në pagesat e bëra në këmbim të heshtjes së dy grave mbi lidhje të dyshuara jashtëmartesore me zotin Trump. Ai dikur ishte një person besnik i zotit Trump, por marrëdhënia e tyre u përkeqësua. Zoti Cohen pritet të jetë dëshmitari kryesor i prokurorisë, ndërsa publikon rregullisht komente përbuzëse në mediat sociale kundër zotit Trump.
Avokatët e ish Presidentit Trump pritet të sulmojnë besueshmërinë e zotit Cohen. Kjo vlerësohet të jetë themeli i strategjisë së mbrojtjes së avokatëve të ish Presidentit. Por që në hapje të procesit, duke ftuar zotin Pecker si dëshmitarin e parë, prokurorët shpresojnë të përqendrojnë vëmendjen te një dëshmitar që nuk vlerësohet të ketë një histori personale të debatueshme. Përveç pohimit se zoti Trump është i pafajshëm, avokati i ish Presidentit, Todd Blanche u tha anëtarëve të jurisë se zotit Cohen nuk mund t’i besohet dhe se ai “po bën të gjitha përpjekjet për ta dëmtuar Trumpin”.
Dëshmia e zotit Pecker të martën pasoi një seancë tjetër të njejtën ditë, gjatë të cilës prokurorët i kërkuan gjyqtarit Juan M. Merchan që ta dënonte ish Presidentin për mospërfillje të urdhërave të gjykatës. Ata duan që gjyqtari ta gjobisë zotin Trump me 1000 dollarë për secilin prej 10 publikimeve në media sociale që ata thonë se shkelin urdhërin e gjyqtarit për të mos sulmuar dëshmitarët, anëtarët e jurisë dhe të tjerët të përfshirë në këtë rast.
Gjyqtari Merchan nuk vendosi për këtë menjëherë, por nuk dukej i bindur nga argumentet e mbrojtjes të zotit Trump që thonin se përmes publikimeve në media sociale ai po i përgjigjej sulmeve të të tjerëve dhe ishte përpjekur të zbatonte urdhrin.
Prokurorët thonë se zoti Trump u përpoq të ndikojë në mënyrë të paligjshme në garën zgjedhore të vitit 2016 përmes një praktike të deabtueshme të industrisë së tabloidëve sipas së cilës, blihen histori që mund të dëmtojnë dikë jo për t’i botuar por për t’i zhdukur përgjithmonë, përmes marrëveshjeve që ndalonin publikimin e tyre diku tjetër.
Në këtë rast, kjo përfshin një pagesë prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave pornografik Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj lidhur me për një marrëdhënie jashtëmartesore që zoti Trump e mohon.
Prokurorët përshkruan gjithashtu marrëveshje të tjera, përfshirë dyshimin se i pagoi një ish-modeleje të revistës për të rritur “Playboy”, 150,000 dollarë për të heshtur pretendimet për një lidhje gati njëvjeçare me zotin Trump, i cili ishte i martuar gjatë asaj kohe. Këtë lidhje zoti Trump gjithashtu e mohon.
Zoti Pecker gjithashtu përmendi pagesën prej 30 mijë dollarësh që tabloidi “National Inquirer” për një roje në hyrjen e Kullës Trump për të blerë të drejtën mbi një pretendim të tij se ai kishte dijeni se zoti Trump ishte babai i një fëmije me një punonjëse të Kullës Trump.
Tabloidi arriti në përfundimin se historia nuk ishte e vërtetë dhe gruaja dhe zoti Trump i kanë mohuar akuzat.
Ndërsa zoti Pecker fliste për këtë gjë në gjykatë, zoti Trump tundi kokën.
Ish botuesi Pecker tha kur dëgjoi për pretendimin, menjëherë telefonoi avokatin Cohen, i cili tha se ishte “absolutisht e pavërtetë”, por se ai do të shikonte nëse njerëzit e përfshirë kishin punuar me të vërtetë për kompaninë e zotit Trump.
“Unë mora vendimin që megjithatë të blija historinë për shkak të dëmit që ky thashethem mund t’ia shkaktonte fushatës dhe zotit Trump”, tha zoti Pecker.
Kur ia tha këtë avokatit të zotit Trump, zoti Pecker tha se ai mori falenderim duke i thënë “se shefi do të ishte shumë i kënaqur”.
I pyetur nga prokurori se për kë mendonte kur thoshte shefi, zoti Pecker u përgjigj: “Donald Trumpi”.
Duke shpjeguar pse ai vendosi që “National Enquirer” të paguajë, zoti Pecker kujtoi se i kishte thënë avokatit Cohen: “Kjo mund të jetë një histori shumë e madhe. Besoj se është e rëndësishme që të hiqet nga tregu.”
Nëse ai do ta publikonte këtë, zoti Pecker tha se kjo ndoshta do të kishte ndikim të siguronin “shitjen më të madhe të kopjeve të ‘National Enquirer’ që nga vdekja e Elvis Presleyt”.
Anëtarët e jurisë panë një email të “National Enquirerit” dhe faturën që përshkruante pagesat ndaj rojes në këmbim të heshtjes për pretendimin e tij. Një dokument përshkruan fondet që vijnë nga llogaria e tabloidit. Një faturë i referohet një pagese “të menjëhershme” prej 30,000 dollarësh për “historinë e pabotuar të Trumpit”.
34 akuzat penale kundër ish Presidentit Trump kanë lidhje me rimbursimet që prokurorët thonë se kompania e zotit Trump i ka bërë avokatit Cohen për pagesat në këmbim të heshtjes për këto histori dhe që janë regjistruar në mënyrë të rreme si shpenzime ligjore.
Çdo akuzë ka dënim maksimal prej katër vitesh burg, megjithëse është e paqartë nëse gjyqtari Merchan do të kërkonte ta dënonte ish Presidentin me burgim. Një dënim nuk do ta pengonte zotin Trump që të bëhej përsëri president, por për shkak se është një çështje që po zhvillohet në nivel shtetëror e jo federal, ai nuk do të mund të falte veten nëse shpallet fajtor. Ai vazhdimisht ka mohuar çdo keqbërje. Gjyqi vazhdon të enjten.