Amerika pajis Ukrainën me raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrash!

vovalbania April 25, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Amerika pajis Ukrainën me raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrash!

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi se Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi, të njohura si ATACMS, për përdorim brenda vendit.

Raketat mbërritën në Ukrainë gjatë këtij muaji.

Për gazetarët, zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel tha se këto raketa u dërguan me vendim të presidentit Joe Biden. Ky konfirmim vjen pas lajmeve në mediat amerikane se javën e kaluar, ato raketa ishin përdorur për të bombarduar një zonë ajrore ushtarake të Rusisë në Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, si dhe kundër forcave ruse në një tjetër pjesë të uzurpuar të vendit gjatë natës.

ATACMS mund ta godasin objektivin në largësi të mëdha deri në 300 kilometra distancë krahasuar me raketat me rreze veprimi prej 165 kilometrash e që Amerika ia dha Ukrainës në muajin tetor. Ato ishin pjesë e një pakete me ndihmë për Ukrainën në mars e jo pjesë e paketës që Kongresi e miratoi dhe presidenti Biden e nënshkroi dje.

Ne nuk njoftuam për këtë menjëherë, me qëllimin që të ruanim sigurinë e operacioneve të Ukrainës, me kërkesën e Kievit.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan tha se “një numër i madh” i raketave i është dërguar Ukrainës duke shtuar:

Ne do t’ju dërgojmë më shumë.  Ukraina është zotuar se do t’i përdorë këto armë vetëm brenda Ukrainës e jo në Rusi.

Administrata Biden ngurronte t’i dërgonte Ukrainës armë të tilla në të kaluarën pasi shqetësohej se ato mund ta nxisnin përshkallëzimin e konfliktit. Ukraina po furnizohet me to në një kohë vendimtare pasi Rusia po vazhdon të çajë përpara në fushëbetejë, në rajonin lindor Donjeck.

Rusia mund të fitojë më shumë territor kundër forcave ukrainase në ditët në vijim, paralajmëroi Sullivan.

Raportohet se Amerika e ndryshoi qëndrimin rreth raketave me rreze të gjata veprimi kur për të goditur Ukrainën në dhjetor e në janar, Rusia përdori raketa balistike me rreze të gjata veprimi, të siguruara nga Koreja e Veriut. Po ashtu, faktor ishin sulmet e vazhdueshme ruse kundër infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës.

Biden e firmosi dje paketën me ndihmë ushtarake për Ukrainën. Më parë u miratua nga Kongresi Amerikan, pas shumë vonesave. Referuar zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën e që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh do të nisë së zbatuari brenda orësh.

Aty përfshihen armë të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda e pajisje të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase, që po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65686 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE