“Kërkojmë të dënohet shkelja e ligjit ndërkombëtar”, vazhdojnë protestat pro-palestineze të studentëve në SHBA dhe Evropë!
Protestat e studentëve pro-palestinezë po vazhdojnë edhe sot në universitetet amerikane.
Ndërsa protesta në Universitetin e Kolumbias hyri në ditën e 10, Universiteti i Kalifornisë Jugore anuloi ceremoninë e diplomimit. Protestat që janë përhapur në gjithë vendin kanë përfshirë tashmë edhe universitetet e Uashington. Kolegia jonë Keida Kostreci ndodhet në Universitetin George Washington, ku që dje janë mbledhur studentë nga disa universitete, në protestën më masive në kryeqytetin e vendit.
Studentët e Universitetit Kolumbia po vazhdojnë protestën të premten. Administratorët dhe policia në universitete nga Kalifornia në Konektikat po bëjnë përpjekje t’u japin fund protestave gjatë të cilave ka pasur edhe përleshje me policinë dhe janë bërë qindra arrestime.
Zyrtarët e Kolumbias po negociojnë me studentët protestues të cilët nuk duket se do të tërhiqen.
Universitete të tjera kanë vendosur të kërkojnë ndërhyrjen e policisë.
Në Universitetin e Indianës në Blumington, pas ngritjes së kampit me tenda të enjten, policia ndërhyri me dhunë dhe arrestoi 33 studentë.
Disa orë më vonë, policia shkatërroi një kamp me tenda në Universitetin e Konektikatit dhe arrestoi një person.
Protesta të ngjashme po mbahen edhe në vende të tjera. Studentët bllokuan të premten hyrjen e universitetit ‘Sciences Po’ të Parisit, duke kërkuar që institucioni të dënojë veprimet e Izraelit.
Duke brohoritur në mbështetje të palestinezëve, studentët vendosën flamuj palestinezë në dritare dhe mbi hyrjen e ndërtesës.
Zyrtarët e Universitetit nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
“Ne kërkojmë, ashtu siç është traditë në universitetin tonë, të dënohet shkelja e ligjit ndërkombëtar, mirëpo ata nuk kanë thënë gjë për atë që Izraeli po bën me palestinezët”, thotë Hichami, student në këtë universitet.
Në përpjekje për të mos lejuar situata të ngjashme, Universiteti i Harvardit në Masaçusets ka mbyllur shumicën e hyrjeve para fillimit të mësimit të hënën dhe ka kufizuar qasjen në hapësirat e saj edhe të njerëzve që kanë karta identiteti të kësaj shkolle.
Universiteti i Harvardit gjithashtu ka vendosur tabela që paralajmërojnë kundër ngritjes së kampeve pa leje.
“Kjo është tepër zhgënjyese. Kjo ka qenë ndoshta një nga kohët më të këqija që myslimanët, komuniteti arab, komuniteti i Azisë Jugore kanë përjetuar përsa i përket shtypjes së zërit të tyre”, thotë Asmer Safi, student i Harvardit nga Pakistani.
Disa studentë hebrenj thonë se protestat janë kthyer në antisemitizëm dhe i kanë bërë ata të kenë frikë të shkojnë në universitet. Kjo, pjesërisht, ka nxitur thirrjet për ndërhyrjen e policisë.
“Unë mendoj se problemi është se nuk po bëhet dallimi mes kritikave të arsyeshme ndaj Izraelit me mbështetjen e sulmit të Hamasit të 7 tetorit. Nëse në këto protesta ka thënie të tilla si ‘nga lumi në det’ ose ‘globalizoni Intifadën’ që është antisemite për studentët hebrenj, dhe fakti që disa nga këta njerëz vazhdojnë t’i thonë këto gjëra është pak shqetësues për mua”, thotë Ely Hahami, student hebre i Harvardit nga Nju Jorku.
Përpjekjet e administratës të Harvardit nuk i penguan protestuesit që megjithatë të ngrinin një kamp me 14 tenda të mërkurën, pas pezullimit nga universiteti të Komitetit të Solidaritetit për Palestinën në Harvard.
Protestuesit që kanë ngritur kampe në universitete në të gjithë vendin po kërkojnë që shkollat të ndërpresin lidhjet financiare me Izraelin dhe të largohen nga kompanitë që ata thonë se po mundësojnë konfliktin në Gazë. Në disa raste po kërkohet distancim edhe nga shteti i Izraelit.
Ndërsa vazhdojnë protestat, po afrohet koha për mbajtjen e ceremonive të diplomimit që zakonisht mbahen në fillim të muajit majit, duke ushtruar trysni mbi shkollat për të larguar kampet e demonstruesve.
Zyrtarët e Universitetit ‘Columbia’ në Nju Jork thanë se negociatat me studentët demonstrues po tregonin përparim ndërsa ata i afroheshin afatit të tyre që përfundon sot për të arritur një marrëveshje për heqjen e kampit të protestuesve.
Megjithatë, dy autobusë të policisë ishin parkuar pranë Universitetit dhe kishte një prani të dukshme të sigurimit privat dhe policisë në hyrje të Universitetit.
Universiteti Politeknik Shtetëror i Kalifornisë, ‘Humboldt’, ka negociuar me studentët që janë bllokuar brenda një ndërtese që nga e hëna, duke kundërshtuar përpjekjen e policisë për t’i larguar ata.