Meta mblodhi Konventën për të hequr gruan nga partia, Kryemadhi e voton bashkëshortin për President të PL-së!
Loja brenda Partisë së Lirisë mes Ilir Metës kryetar partie dhe bashkëshortes së tij, ish-kryetare dhe anëtare e kryesisë ka vijuar gjatë gjithë ditës së sotme teksa në Pallatin e Kongreseve është mbledhur Konventa Kombëtare.
Prej 2-3 javësh, Ilir Meta nisi një fushatë të egër kundër Kryemadhit duke e akuzuar për shkatërrimin e partisë që ia la me 17 deputetë dhe tani ka vetëm katër. Ai e akuzoi bashkëshorten e tij për nepotizëm, që sipas Metës ka dëmtuar rëndë Partinë e Lirisë.
Për këtë Meta thirri edhe Konventën Kombëtare për të ribërë forumet e partisë, e me këtë rast për të larguar bashkëshorten nga kjo forcë politike.
Vetëm ditën e sotme Kryemadhi “e pranoi” fitoren e Metës teksa deklaroi se ajo është një gladiatore me taka, por që do të shohë prioritete të tjera duke iu përkushtuar familjes.
E megjithëse burri e nxori nga skena politike, loja brenda partisë ka vijuar deri në momentet e fundit, kur Kryemadhi e votoi Ilir Metën për President të Partisë, duke e bërë publike votën e saj.
“Nuk ka fshehtësi vote mes burrit dhe gruas”, tha Kryemadhi në votimin që mesa duket do të jetë i fundit i saj si e zgjedhur në forumet e larta të partisë së bashkëshortit të saj.
Deputetja Monika Kryemadhi kërkoi që të mos bëhej propagandë me nepotizmin.
“Nuk kisha ndërmend të flisja, por përderisa isha në axhendë i qëndroj fortë dy propozimeve të mia, për buxhetimin e buxhetit të grave kandidate për deputete apo këshillat bashkiakë. Nuk është diskriminim pozitiv, por e domosdoshme për gratë dhe vajzat. Propozimi im është për 30%, po të jetë vullneti i delegatëve e çojnë edhe më shumë. Sa i përket propozimit numër 2, për nepotizmin, i qëndroj që të mos bëhet propagandë me fjalën nepotizëm. Në një parti politike nuk ka të bëjë nepotizmi, por meritokracia. Në Pushtet vendoset me emërim, aty emëron kryetari apo përfaqësuesi,
Unë mendoj se edhe në PL ka ardhur koha, meqë na u përmend ligji për konfliktin e interesit. I shtoj pikës 70 propozimin për konfliktin e interesit, ku anëtari i PL nuk mund të propozojë individë që ka konflikt interesi”, tha Kryemadhi.