Hamasi vijon taktikën e publikimit të videove të pengjeve izraelitë!

vovalbania April 28, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hamasi vijon taktikën e publikimit të videove të pengjeve izraelitë!

Hamasi publikoi një video të dy pengjeve izraelitë që po mbahen në Rripin e Gazës prej 7 tetorit të kaluar dhe nuk është hera e parë që grupi radikal palestinez vepron në këtë mënyrë. Këto video dënohen nga Izraeli si “terrorizëm psikologjik”.

Aty flasin dy burrat, të identifikuar si Keith Siegel 64 vjeç dhe Omri Miran 47. Ata iu shprehën dashurinë familjarëve të tyre e kërkuan të lirohen. Miran u rrëmbye nga shtëpia e tij në komunitetin Nahal Oz në sy të bashkëshortes e dy fëmijëve gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit në jug të Izraelit, që dhe nxiti luftën në Gaza.

Siegel, me shtetësi amerikane dhe izraelite u rrëmbye me bashkëshorten nga një tjetër qytet kufitar. Gruaja e tij u lirua më vonë gjatë një armëpushimi të shkurtër në muajin nëntor. Teksa fliste, Siegel shpërtheu në lot e shfaqi shpresën se do të bashkohet me familjen.

Rreth 250 izraelitë e të huaj u rrëmbyen në jug të Izraelit nga Hamasi dhe u dërguan në Rripin e Gazës. Gjatë marrëveshjes së nëntorit të kaluar, Hamasi i liroi 105 pengje, shumica gra dhe fëmijë. Kjo në këmbim të një armëpushimi njëjavor e lirimit të 250 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Besohet se ende 133 pengje po mbahen në Gaza. 30 prej tyre mund të kenë gjetur vdekjen. Bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura po vazhdojnë prej shumë javësh.

Hamasi e hodhi poshtë propozimin e kaluar për një armëpushim 6-javor në këmbim të lirimit të 40 pengjeve. Ky grup thotë se marrëveshja duhet të përfshijë armëpushim të përhershëm, tërheqje të plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza, si dhe kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre.

Por, Izraeli ngul këmbë se do t’i vazhdojë sulmet ushtarake derisa ta mposhtë Hamasin e se do të mbetet i pranishëm ushtarakisht në Gaza edhe pas luftës.

Kur Hamasi sulmoi Izraelin e jugut u vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Ndërkaq, më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë e thuhet se dy të tretat e tyre janë fëmijë dhe gra, viktima të sulmeve izraelite në Gaza. Shifrat jepen nga zyrtarë shëndetësorë palestinezë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65697 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE