Rritet trysnia për armëpushim, ndërsa Izraeli godet Gazën!

vovalbania April 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rritet trysnia për armëpushim, ndërsa Izraeli godet Gazën!

Përpjekjet diplomatike u shtuan të dielën me synimin për të arritur një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gazë, ndërsa Izraeli po vazhdon sulmet ajrore e me artileri, ndaj territorit të goditur nga lufta. Një video e re, ku shfaqeshin dy pengjeve që mbahen nga militantët e Hamasit që prej 7 tetorit, kur grupi sulmoi Izraelin, shkaktoi zemërim në Izrael. Të shtunën protestues të shumtë izraelitë ushtruan presion ndaj qeverisë për të arritur një marrëveshje me Hamasin. Kundërshtimi global ndaj krizës humanitare në Gazë është rritur gjithashtu. Udhëheqësit botërorë dhe grupet e ndihmës po paralajmërojnë se një sulm së shpejti i Izraelit ndaj qytetit jugor të Rafahut, do të çonte në një numër masiv viktimash.

Një zyrtar i lartë i Katarit i kërkoi Izraelit dhe Hamasit që të tregojnë “më shumë përkushtim e seriozitet” në negociatat për armëpushim, pas gati shtatë muaj luftë në Gazë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit Majed al-Ansari në një intervistë për përditshmen liberale “Haaretz” u shpreh i zhgënjyer duke shtuar se secila palë ka marrë vendimet e saj bazuar në interesat politike dhe jo të mirën e civilëve.

“Ne shpresonim të shihnim më shumë përkushtim dhe më shumë seriozitet nga të dyja palët”, deklaroi ai. Pa dhënë shume detaje zoti al-Ansari tha se bisedimet janë ndalur e të dyja palët i mbahen pozicioneve të tyre.

Marrëdhëniet mes Katarit dhe Izraelit kanë qenë të tensionuara gjatë gjithë luftës, pasi disa politikanë në Izrael, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, e kanë kritikuar Katarin se nuk ka bërë trysni mjaftueshëm ndaj Hamasit.

Në një tjetër zhvillim, teksa Izraeli nuk është tërhequr nga ideja për të ndërhyrë në qytetin Rafah, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas thotë se vetëm Shtetet e Bashkuara mund të ndalojnë Izraelin për të ndërmarë këtë sulm.

“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’i kërkojnë Izraelit që të mos sulmojë Rafahun. Amerika është i vetmi vend në gjendje të parandalojë Izraelin që të kryejë këtë krim”, tha zoti Abbas gjatë një takimi të Forumit Ekonomik Botëror në kryeqytetin saudit Riad.

Zoti Abbas shtoi se sulmi izraelit, të cilin ai e pret të ndodhë brenda disa ditësh, mund të detyrojë një pjesë të madhe të popullsisë palestineze të largohet nga territori dhe sipas tij kjo do të ishte katastrofa më e madhe në historinë e popullit palestinez.

Izraeli, thotë se në këtë qytet fshihen batalionet e mbetura të Hamasit.

Ndërkohë të shtunën në mbrëmje me mijëra vetë u mblodhën në Tel Aviv duke kërkuar lirimin e pengjeve dhe dorëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe qeverisë së tij.

Demonstruesit protestuan për mënyrën se si administrata izraelite po trajton luftën kundër Hamasit

Lufta filloi kur Hamasi kreu një sulm terrorist ndërkufitar në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor, në të cilin sipas autoriteteve izraelite, 1200 njerëz u vranë dhe 253 u morën peng.

Ndërkohë sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, sulmet izraelite kanë vrarë 34 mijë palestinezë. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65699 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE