Të gjithë kundër Gjeorgjisë pas planeve për të rikthyer draftin e “Agjentëve të huaj”!
Përmes një letre dërguar kryeministrit të Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, një grup dypartiak prej 14 senatorësh amerikanë e paralajmëron se synimi për të riçuar në parlament një “ligj për agjentët e huaj të stilit rus” mund të shkaktojë ndryshime në politikën amerikane kundrejt Tbilisit.
Jemi tejet të shqetësuar që po minohen synimet transatlantike të Gjeorgjisë.
Letra u dërgua pasi Komiteti amerikan i Helsinkit i bëri thirrje partisë në pushtet Endrra Gjeorgjiane, ta tërheqë draftin për “Agjentët e huaj” dhe i kërkoi Tbilisit të “largohet nga kjo rrugë e dëmshme”.
Qeveritë perëndimore dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë dënuar projektligjin kontrovers të Gjeorgjisë, për të cilin thonë se “është kopje e një ligji të ngjashëm rus”, që Moska e përdor për të luftuar zërat kritikë në Rusi.
Mijëra gjeorgjianë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër draftit, siç bënë edhe vitin e kaluar kur i njëjti dokument u prezantua vitin e kaluar, por qeveria u detyrua ta tërhiqte.
Projektligji detyron organizatat jofitimprurëse dhe mediat që financohen nga jashtë e që janë të angazhuara në aktivitete “politike”, të raportojnë mbi veprimtarinë e tyre para autoriteteve. Këtyre të fundit iu jep kompetenca të mëdha mbikëqyrëse, si dhe dënime të mundshme për vepra të paspecifikuara penale.
Senatorët amerikanë i hedhin poshtë pretendimet e qeverisë gjeorgjiane se ky ligj është i barasvlefshëm me atë amerikan e që qytetarëve në SHBA iu kërkon të regjistrohen si agjentë të huaj nëse ata përfaqësojnë interesat e një pale të huaj në Amerikë.
Ish-kryeministri Irakli Garibashvili, kryetar i partisë në pushtet, tha se letra e senatorëve “bazohet në keqkuptime”, si dhe theksoi se “synohet transparencë në një kohë tensionesh së larta”.
Ndjesia antiruse shpesh bëhet e fuqishme në Gjeorgji ku trupat e Moskës ende kontrollojnë rreth një të pestën e territorit. Shumicën e tij e morën gjatë luftës së vitit 2008. Votimi përfundimtar i projektligjit pritet më 17 maj.
Edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Gjeorgji e ka kritikuar rikthimin e projektligjit, duke thënë se “nuk është në përputhje me vlerat e Bllokut, të cilit Tbilisi dëshiron t’i bashkohet”. Human Rights Watch gjithashtu e ka kritikuar.
Gjeorgjia ka qenë e zëshme në synimin e saj për t’iu bashkuar BE-së dhe vitin e kaluar e mori statusin e vendit kandidat pasi qeveria u tërhoq nga përpjekja e parë për ta kaluar këtë projektligj, pas protestave masive.