Britania starton aksionin e dërgimit të emigrantëve ilegalë në Ruandë!

vovalbania April 29, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Britania starton aksionin e dërgimit të emigrantëve ilegalë në Ruandë!

Nga sot, Zyra e Brendshme në Britaninë e Madhe do të nisë një aksion blic për të arrestuar azilkërkuesit, me qëllim dërgimin e tyre në Ruandë.  “The Guardian” zbulon skemën që do të nisë zbatimin disa javë më herët nga sa ishte lajmëruar.

Zyrtarët britanikë planifikojnë të ndalojnë refugjatët që shkojnë për takime rutinë në zyrat e Shërbimit të Emigracionit e gjithashtu do të arrestojnë njerëz në mbarë vendin, në një aksion të madh dy-javor.

Pas ndalimit, emigrantët e paligjshëm do të transferohen në qendrat e paraburgimit, që janë përgatitur për operacionin dhe do të mbahen aty, që më pas të dërgohen në Ruandë me avionë.

Nisja e menjëhershme e aksionit përkon me zgjedhjet e këshillit vendor të së enjtes së 2 majit në Angli, për të rritur pretendimet e kryeministrit të vendit, Rishi Sunak se ai po godet emigracionin e paligjshëm.

Më herët, shefi i qeverisë së Londrës ka deklaruar:

Për të arrestuar emigrantët ndërsa përgatitemi për t’i larguar, kemi rritur hapësirat e paraburgimit në 2 mijë e 200 qeli.

Pas miratimit të ligjit për dërgimin në Ruandë të emigrantëve ilegalë, një pjesë e tyre po i shmanget kontrollit të autoriteteve. Mediat britanike raportuan se në Britaninë e Madhe, mijëra emigrantë janë zhdukur gjatë tre muajve të parë të vitit, mes tyre edhe 1 mijë e 633 shqiptarë.

Pas disa vitesh përplasjeje politike e betejash gjyqësore, në javën që lamë pas, ligjvënësit britanikë miratuan ligjin me anë të të cilit qeveria shpreson të ndalë flukset emigratore përmes Kanalit të La Manshit.

Qeveria thotë se kjo polikë është e bazuar në moral, pasi synon t’i japë fund udhëtimeve të rrezikshme të trafikantëve të qenieve njerëzore. Por, Kombet e Bashkuara i bënë thirrje Britanisë ta rishikojë këtë çështje.

Duke shmangur përgjegjësisë për refugjatët, duke reduktuar aftësinë e gjykatave britanike për të shqyrtuar vendimet për dëbim, duke kufizuar qasjen në mjetet juridike në vend, si dhe gamën e mbrojtjes të drejtave të njeriut për një grup të caktuar njerëzish, kjo masë e re pengon seriozisht sundimin e ligjit në Britani e përbën një precedent të rrezikshëm ndërkombëtar.

Sipas marrëveshjes, Britania e Madhe do t’i paguajë Ruandës të paktën 458 milion dollarë gjatë pesë viteve duke dhënë pagesa shtesë, në vlerë prej mijëra dollarësh, për çdo emigrant të dërguar në vendin afrikan. Ligjin, opozita e ka quajtur “marifet të kushtueshëm, që nuk do të funksionojë”. Miratimi i tij pas disa vite vonesash shihet si fitore politike për kryeministrin Sunak.

Por, mbetet të shihet nëse do të arrijë t’i ndalë imigrantët të ndërmarrin udhëtime te rrezikshme e vdekjeprurëse, nëpërmjet Kanalit të La Manshit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65757 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE