Mbretëria e Bashkuar ndalon fjalëkalimet e dobëta!
Fjalëkalimet e dobëta si “admin” ose “12345” do të ndalohen në Mbretërinë e Bashkuar sipas ligjeve të reja që thonë se pajisjet inteligjente duhet të plotësojnë standardet minimale të sigurisë. Siç ka njoftuar Departamenti për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji në Mbretërinë e Bashkuar, masat për mbrojtje nga hakerët dhe sulmet kibernetike hyjnë në fuqi më 30 prill.
Kjo do të thotë se prodhuesve të telefonave, televizorëve dhe zileve inteligjente u kërkohet të mbrojnë pajisjet e lidhura me internet nga kriminelët kibernetikë, me përdoruesit e tyre që u kërkohet të ndryshojnë fjalëkalimet e zakonshme. Bëhet e ditur se masat e reja pritet t’iu japin klientëve besim në blerje dhe përdorim të produkteve në një kohë kur numri i sulmeve kibernetike është rritur.
“Zyra për Sigurinë dhe Standardet e Produkteve duhet t’i ofrojë industrisë udhëzime të qarta për të ndërmarrë veprime kundër prodhuesve që e shkelin ligjin, por ne gjithashtu presim që prodhuesit e pajisjeve inteligjente të veprojnë siç duhet”-tha Rocio Concha, drejtor i politikave dhe avokimit në ‘Who?’.
“Ndërsa jeta e përditshme varet gjithnjë e më shumë nga pajisjet me internet, kërcënimet e gjeneruara shumohen”-tha Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë në Mbretërinë e Bashkuar, Jonathan Berry. Sipas ministrit, tani konsumatorët do të kenë një qetësi më të madhe që pajisjet e tyre inteligjente janë të mbrojtura nga sulmet. Ligjet janë pjesë e regjimit të sigurisë së produkteve dhe infrastrukturës së telekomunikacionit (PSTI) i cili synon ta mbrojë Mbretërinë e Bashkuar nga krimet kibernetike.
Fjalëkalimet më të gjata nuk do t’i ndalojnë hakerët të kenë qasje në të dhënat tuaja, kjo sipas një raporti nga Specops Software. Një kompani që shet shërbime të menaxhimit dhe vërtetimit të fjalëkalimeve zbuloi se 31.1 milionë fjalëkalime të hakuara përmbanin 16 karaktere ose më shumë, duke treguar se fjalëkalimet më të gjata nuk janë të padepërtueshme.
Pas analizimit të 1.8 milion kredencialeve të komprometuara të administratorit, 40 mijë llogari administratori përdorën termin “admin” dhe vetëm 50% e organizatave kontrollojnë çdo muaj fjalëkalimet e komprometuara. Fjalëkalimi më i zakonshëm i komprometuar në listën e fundit të KrakenLab të kredencialeve të komprometuara ishte fjalëkalimi “123456”. Fjalëkalimet që përmbajnë fjalën fjalëkalim (P@ssw0rd ose Pass@123) ishin gjithashtu të zakonshme.