“Për një muaj hapet Thumanë-Kashar dhe tuneli i Llogorasë”, Balluku: Me 4 aeroporte dhe 2 porte, gati të presim mbi 14 milionë turistë!
14 milionë turistë pritet të pushojnë këtë vit në vendin tonë, sipas projeksioneve të qeverisë.
Por, shifrat mund të jetë shumë më e lartë, u shpreh zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, në mbledhjen për mbarëvajtjen e sezonit turistik bazuar mbi sigurinë, mikpritjen, shërbimet dhe infrastrukturën për pushuesit
“Ajo që ne projektojmë është shumë më shumë në numër. Kështu që kini parasysh që në aeroportin e Rinasit në 2023 kemi përpunuar 7.2 milionë pasagjerë. Krahasuar me vitin 2019 kur kemi përpunuar 2 milionë pasagjerë me një lodhje dhe pamundësi të madhe. Si arrijmë sot të përpunojmë disa fishin. Arrijmë përmes një strategji të aviacionit civil, të cilën e kemi shpallur në vitin 2019 dhe është strategjia e portave hyrëse nga ajri, siç e ka quajtur kryeministri. 4 aeroporte, duke nisur nga Kukësi, Tirana, Vlora dhe ai i Gjirokastrës janë dhe do të jenë të disponueshme në territorin tonë, duke pasur parasysh që aeroporti i Kukësit është operativ”.
Balluku shpjegoi ecurinë e punimeve në katër aeroportet e vendit dhe në portin e ri të Durrësit në Porto Romano, që
“Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës është totalisht një aeroport tjetër. Kur rinegocuam kontratën dëgjuam shumë, ashtu siç bëhet gjithmonë me gjithçka të re që ne bëjmë. Por ama ajo kontratë e rinegocuar u bazua mbi garantimin e një investimi 100 milionë euro, i cili konsiston në zgjatimin e pistës për ta kthyer atë aeroport në një aeroport të kategorisë E, ku do të akomodohen të gjithë fluturimet transoqeanike që Shqipëria nuk i ka pasur gjer më sot dhe që pasagjerët shqiptarë, ata që jetojnë këtu, apo të diasporës, apo dhe vizitorët kanë mbushur aeroportet e tjera të rajonit, si Vjenën, Stambollin dhe Romën etj. Tashmë do të fluturojmë nga aeroportet tona. Ka qenë një aeroporti, ai i Rinasit i vetmi në vend me 13 mijë metra katrorë terminale. Sot kemi 40 mijë metra katrorë terminale. Kemi 9 vend parkime të reja, 2 prej të cilave janë të destinuara për ato avionë që bëjnë udhëtime transoqeanike dhe të gjitha këto ndodhin vetëm në Rinas. Ndërkohë që aeroporti i Vlorës ka një ecuri të shkëlqyer dhe në fund të këtij viti, pra në dhjetor, do ta kemi plotësisht të dorëzuar, për të vazhduar pastaj me fazën e certifikimit dhe vitin tjetër në këtë kohë do të ngrihen dhe do të ulen avionët e parë edhe në Vlorë.
Gjatë muajit maj, do të hapen dy gara ndërkombëtare për dy porte, një port nga ajri dhe një port nga deti. Hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano, duke filluar kështu një epokë të re për industrinë detare. Një epokë e re e cila përfshin dy porte moderne, portin e ri të Durrësit, portin e ri të Vlorës në triport dhe dy marina akoma më moderne dhe elitare atë të Durrësit dhe atë të Vlorës. Për të vazhduar më pas me të gjitha planet tona për Shëngjinin dhe për Sarandën. Por në ndërkohë, siç ju thashë kemi dhe një garë tjetër ndërkombëtare atë të aeroportit të Gjirokastrës”.
Duke u ndalur te infrastruktura, ministrja Balluku the se në 30 qershor Thumanë-Kashar do të jetë një aks i përshkueshëm dje në vijim do të hapen disa rrugë të tjera, përfshirë tunelin e Llogorasë.
“Tuneli i Llogorasë do të hapet një ose dy ditë më pas, pasi dhe forcat tona duhet të jenë të përqendruara. Do të hapim tunelin e Llogorasë. Tunelin e Llogorasë që në opinionin tim është perla e infrastrukturës shqiptare. Një tunel prej 6 kilometrash që quhet ‘long range’ përsa i përket tuneleve europiane, një tunel që unë do ta quaja një vepër arti edhe për shkak se gjeologjia na ka ndihmuar atje, ndryshe totalisht nga tuneli i Murrizit, por edhe ai tunel do të dorëzohet brenda vitit 2024 duke mbyllur njëherë e mirë rrugën e Arbrit”.
Sipas Ballukut, impakti ekonomik indirekt që këto korridore kanë, Korridori Blu, Korridori VIII, aeroportet, portet, është shumë i madh.