Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj mbi gjashtë orë në SPAK, pyetet për dosjen e inceneratorit të Tiranës!
Kryebashkiaku i Tiranë, Erion Veliaj është paraqitur mëngjesin e sotëm (e martë) në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Prej më shumë se gjashtë orësh ai ndodhet në ambientet e brendshme të këtij institucioni, i shoqëruar edhe nga disa prej bashkëpunëtorëve të tij.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, ai është thirrur nga prokurori i posaçëm Dritan Prençi për dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Gjatë momentit që është paraqitur në SPAK, ai është përplasur me militantë të PD dhe drejtues të kësaj partie, në hyrje të godinës.
Kujtojmë se Veliaj ka deklaruar më parë se do të paraqitej vetë në SPAK.
Kryebashkiaku Erion Veliaj i cili është paraqitur në SPAK, pasi paralajmëroi se do të dorëzojë dosjet për inceneratorin e Tiranës ka bërë një reagim në Instagram ku ka ironizuar sulmet ndaj tij pasi do shkonte në SPAK.
“Më gjykoni nga reputacioni i armiqve që kam bërë”, ka shkruajtur Veliaj, i cili pasi ka shkuar në SPAK, do të jetë prezent në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës ku do t’i jepet titulli “Qytetar Nderi” Ali Ahmetit dhe një rrugë në Tiranë do të marrë emrin e Remzi Hoxhës, biznesmeni që u zhduk nga SHIK-u i Sali Berishës në vitin 1995.
Pasditen e sotme, Rithemelimi dhe Partia e Lirisë kanë paralajmëruar në 16:30 protestën e radhës, ndërsa mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak.