Protestuesit e opozitës çajnë kordonin metalik, përplasen fizikisht me efektivët, policia hedh gaz lotsjellës!
Klevis Balliu ka tentuar që të thyejë kordonin e policisë dhe të kalojë mbi kokat e efektivëve të policisë që janë vendosur para bashkisë së Tiranës.
Ndërsa në krah i qëndron Tedi Blushi, ai tenton që të çajë kordonin dhe të futet në ambientet e brendshme.
Ndërkohë ai dhe protestues të tjerë i drejtohen efektivëve duke u kërkuar që të hapin rrugën që të futen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Pas tentativës së Klevis Balliut për të kapërcyer kodonin e policisë dhe për të hyrë në ambientet e bashkisë së Tiranës, protestuesit kanë mundur që me forcë të zhvendosin dhe të heqin kordonin metalik para godinës.
Më pas ata janë përplasur edhe me efektivët e policisë duke tentuar që të futen brenda.
Për të parandaluar hyrjen me forcë në bashki, policia ka përdorur gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur ata, duke u bërë thirrje që të ruajnë qetësinë.
Nga ana tjetër, sapo ka përfunduar mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, në të cilën u miratuan disa vendime të rëndësishme për qytetarët, si ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë, apo bonuset e qirasë dhe dëmshpërblimet për ata që kanë pësuar aksidente me zjarret në shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, anëtarët socialistë miratuan me shumicë votash dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e BDI, Ali Ahmeti, partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si dhe emërtimi i një rruge në Tiranë me emrin e Remzi Hoxhës, biznesmenit të zhdukur në vitin 1995 nga SHIK-u i Sali Berishës.
Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe emërtimin e një rruge me emrin e Tomor Malasit, ish deputet i PD dhe ish kryetar bashkie i Tiranës në vitet 1991-’92. Po ashtu, u miratua shpërblimi financiar për klubin e futbollit Partizani, pas triumfit në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2022-2023.