E djegur nga zjarret e kaluara, Greqia shton kapacitetet për t’i luftuar!

vovalbania May 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
E djegur nga zjarret e kaluara, Greqia shton kapacitetet për t’i luftuar!

Këtë vit, Greqia po e dyfishon numrin e zjarrfikësve në njësitë e specializuara, duke e rritur atë në shifrën 1 mijë e 300, si dhe po miraton përdorimin e taktikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën ndaj zjarreve masive.

Anëtarët e njësive të reja të specializuara në vendin fqinj, përfshijnë edhe ekspertë të pyjeve e zjarrfikës me aftësi të ndryshme, që po zhvillojnë trajnime me homologët e tyre në Francë, Spanjë dhe në Amerikë.

Sezoni i zjarreve në Greqi fillon zyrtarisht më 1 maj, pra sot, por dhjetëra zjarre tashmë janë shuar gjatë muajve të fundit pasi temperaturat filluan të arrijnë deri në 30 gradë Celsius që në fund të marsit, siç kuptohet, dukshëm më të larta se në të njëjtën periudhë të viteve të kaluara.

E financuar kryesisht nga Bashkimi Europian, Greqia ka nisur një program në vlerë 2.1 miliardë euro për të përmirësuar kapacitetin e saj të reagimit ndaj katastrofave, duke porositur avionë të rinj që hedhin ujë, dronë, kamionë, objekte trajnimi, si dhe një rrjet sensorësh të drejtuar nga Inteligjenca Artificiale e që zbulojnë shenjat e hershme të tymit e të përmbytjeve gjithashtu.

Por, pajisjet e reja nuk do të fillojnë të vijnë para vitit 2025. Ndërkohë, autoritetet greke po dyfishojnë numrin e trajnimeve për metodat e reja të shuarjes së zjarreve, në prag të atij që pritet të jetë një tjetër sezon i vështirë këtë vit.

Zjarret dogjën rreth 1 mijë e 750 kilometra katrorë vitin e kaluar, përfshirë një zjarr masiv në Greqinë veriore që ishte zjarri më i keq i regjistruar ndonjëherë në një vend të Bashkimit Europian. Për shkak të terrenit gjeografik, vit pas viti, Greqia përballet me probleme në mbrojtjen e vendbanimeve të shumta urbane në zonat e pyllëzuara e që janë në rrezik zjarri.

E me kalimin e viteve, edhe temperaturat janë rritur. Dimri i kaluar ishte më i ngrohti që nga fillimi i regjistrimeve moderne në vitin 1960 sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, i cili analizoi të dhënat satelitore të Bashkimit Europian. Gjashtë dimrat më të ngrohtë të regjistruar në territorin grek kanë ndodhur në dekadën e fundit.

Të dhënat e reja zbulojnë se Europa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, pasi temperaturat e saj, afërsisht rriten me dyfishin e mesatares globale.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64070 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE