Fillesat në Shqipëri të 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve!
Sot është 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, që lindi nga beteja për të kërkuar e siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Ishte viti 1884 kur në Amerikë, Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve hartuan rezolutën në të cilën thuhej:
Nga 1 maji 1886, punëtorët duhej të punonin 8 orë në ditë.
Pikërisht më 1 maj të vitit 1886, mbi 200 mijë punëtorë, të mbledhur në “Haymarket”, sheshin qendror të Çikagos, nisën grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Shtypi i kohës nuk i mbështeti, gazetat flisnin për “kërkesa absurde”. Në protesta humbën jetën 7 policë dhe Policia e Çikagos reagoi duke vrarë me bombë 8 drejtues kryesorë të Federatës së Punëtorëve.
Tre vjet më vonë nga ngjarja e Çikagos, në 1889-ën, Internacionalja e Dytë Socialiste në Paris të Francës, vendosi kremtimin e 1 Majit si ditën e bashkimit, luftës dhe solidaritetit të gjithë punëtorëve të botës. 132 vjet kanë kaluar nga ajo ditë.
Sa i përket Shqipërisë ka raportime se për herë të parë, 1 Maji u shënua në 1905-ën, siç përmendet në librin me titull: “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri”, i publikuar në 1969-ën.
Autori Stilian Adhami, shkruante:
Më 1 maj të 1905-ës, 60 punëtorë, kryesisht të ngarkim-shkarkimit e këpucarë, organizuan një manifestim në Shkodër. U krijua edhe tradita e përkujtimit të solidaritetit të punonjësve, ndonëse greva e kërkesa për të drejtat e punëtorëve ka pasur edhe para 1905-ës në Shqipëri.
Pas shpalljes së Pavarësisë e sidomos gjatë periudhës së qeverisjes e mbretërimit të Ahmet Zogut nuk kanë munguar manifestime të ndryshme në përkujtim të 1 Majit, sikurse u krijuan organizata punëtorësh.
Në periudhën e komunizmit, zhvilloheshin parada pasi 1 Maji u shndërrua në ditë feste.
Pas rënies së komunizmit, në Shqipëri nuk janë shënuar manifestime për t’u veçuar më 1 Maj. Ato që janë organizuar nuk kanë patur pjesëmarrje të konsiderueshme duke vazhduar traditën e festës, më shumë se të protestës. Me moton: Punë, Pagë, Pensione, sot Lëvizja Bashkë ka paralajmëruar një tubim në Tiranë me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, nga ora 18:00 te Partizani i Panjohur.