Mesazhi i Blinkenit ndaj Izraelit dhe Hamasit: Koha për armëpushim!

vovalbania May 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mesazhi i Blinkenit ndaj Izraelit dhe Hamasit: Koha për armëpushim!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot takoi liderë izraelitë, gjatë vizitës së tij në Izrael dhe presidentit të vendit i tha se “ka ardhur koha” për një marrëveshje armëpushimi për luftën në Gaza. Kjo është vizita e 7-të e Blinkenit që nga fillimi i luftës së 7 tetorit 2023 Izrael-Hamas, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Zyrtari i Uashingtonit po përpiqet të arrijë një marrëveshje armëpushimi që do të lironte pengjet e mbajtura nga militantët e Hamasit në këmbim të ndalimit të luftimeve. Po ashtu, të burgosurit palestinezë pritet të lirohen si pjesë e marrëveshjes. Blinken ka fajësuar Hamasin për çdo vonesë në arritjen e akordit.

Ne jemi të vendosur të arrijmë një armëpushim që sjell pengjet në shtëpi dhe duhet ta arrijmë tani. Arsyeja e vetme pse kjo nuk do të arrihej është për shkak të Hamasit.

Blinken takoi udhëheqësit kryesorë rajonalë në Arabinë Saudite dhe Jordani përpara se të shkonte në Izrael ku pas presidentit Isaac Herzog, ka në axhendë edhe një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, gjithashtu do të takohet me familjet e pengjeve, si dhe do të vizitojë një port izraelit ku po lejohet hyrja e ndihmave humanitare që dërgohet në Gaza. Marrëveshja në zhvillim mes Izraelit dhe Hamasit duket se po avancon, siç raporton agjencia e lajmeve AP, por një pikë kyçe ku ajo po ngec mbetet dyshimi nëse lufta do të përfundojë si pjesë e marrëveshjes, kërkesë që Hamasi e ka përsëritur e që Izraeli e refuzon.

Dje, Blinken tha se Izraeli planifikon të hapë një vendkalim të madh të ndihmave humanitare në Gazën veriore. Lufta Izrael-Hamas ka rrafshuar pjesë të mëdha të veriut të Gazës dhe uria është e pashmangshme për qindra mijëra civilë që mbeten atje.

Gati shtatë muaj të bombardimeve izraelite dhe ofensivave tokësore në Gazë kanë vrarë më shumë se 34 mijë palestinezë, referuar zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, si dhe kanë shkaktuar një katastrofë humanitare.

Lufta Izrael-Hamas u nxit nga sulmi i paprecedentë i 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe rrëmbyen rreth 250 pengje. Izraeli thotë se militantët ende mbajnë rreth 100 pengje dhe trupat e pajetë të më shumë se 30 të tjerëve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65779 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE