Protesta të punëtorëve në Shkup për paga më të larta!

vovalbania May 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Protesta të punëtorëve në Shkup për paga më të larta!

Organizatat sindikaliste në Maqedoninë e Veriut, protestuan para selisë së qeverisë në Shkup, për rritjen e pagave të punëtorëve dhe kushte më të mira në punë. Sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, me moton: “Ne punëtorët”, në protestë u bashkuan Lidhja e Sindikatave dhe Konfederata e Organizatave Sindikale. Nga qeveria kërkuan rritjen e pagës minimale në 450 euro, mbulimin e shpenzimeve për transport, ushqim e marrëveshjet kolektive që garantojnë të drejtat e tjera në punë.

Pa plotësimin e standardeve minimale të Bashkimit Europian, asnjëherë ne nuk mund të bëhemi pjesë e unionit. Me pagat që marrim, mezi po arrijmë të mbyllim muajin. Varfëria ka hyrë në shtëpinë e çdo punëtori.

Kemi dalë që të kërkojmë të drejtat tona, të solidarizohemi me të gjitha degët e industrisë, me të gjithë punëtorët e të përcjellim porosinë te qeveria aktuale e te ajo që do të vijë, që të mos luajë me të drejtat e punëtorëve pasi janë shtylla e këtij vendi.

Drejtuesit e sindikatave iu kërkuan partive që do të formojnë qeverinë e re, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, me qëllim që në 100 ditët e para të punës së saj, t’iu plotësojë kërkesat bazë.

Paga minimale duhet të ndjekë trendin e asaj në rajon, veçanërisht për shkak të Ballkanit të Hapur e nisur nga mundësia që gjatë verës, punëtorët tanë të largohen për të punuar në vende të tjera.

Maqedonia e Veriut ndodhet para zgjedhjeve parlamentare dhe raundit të dytë të atyre presidenciale të 8 majit. Gjatë fushatës elektorale, partitë politike kanë bërë premtime të ndryshme, si rritjen e pagës minimale deri në 650 euro dhe pagës mesatare deri në 1.100 euro.

Drejtuesit e organizatave thonë se kanë dëgjuar premtime të tilla në çdo zgjedhje, por iu rikujtuan institucioneve se do të përballem me protesta të fuqishme nëse nuk ndërmarrin masa për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve.

Në muajin mars, Maqedonia e Veriut u përfshi nga protestat e profesorëve universitarë dhe punonjësve shkencorë ndërsa në shkurt nga të mjekëve specializantë e punonjësit e tjerë mjekësorë.

Paga minimale në Maqedoninë e Veriut arrin në 22.500 denarë (365 euro), ndërsa mesatarja në 39.276 (638 euro). Por, këto paga nuk pasqyrojnë gjendjen reale pasi lartësinë e tyre e diktojnë pagat e kompanive farmaceutike, të shërbimeve kompjuterike dhe të disa ndërmarrjeve tjera me të ardhura të larta.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE