Protestat propalestineze në SHBA, vazhdojnë arrestimet!

vovalbania May 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Protestat propalestineze në SHBA, vazhdojnë arrestimet!

Policia e Nju Jorkut arrestoi dhjetëra protestues propalestinezë që ishin izoluar brenda një ndërtese në kampusin e Universitetit të Kolumbias. Pas arrestimeve, agjentët arritën t’i shpërndajnë protestuesit, diçka që drejtuesit e universitetit tentuan ta bënin prej gati dy javësh.

Menjëherë pasi policia hyri brenda ndërtesës ku ishin protestuesit, presidentja e Universitetit të Kolumbias, Minouche Shafik, publikoi një letër ku i kërkon policisë të qëndrojë në kampus të paktën deri më 17 maj, dy ditë pas ceremonisë së diplomimit, “për të ruajtur rendin e për të siguruar që kampet të mos rivendosen”.

Brenda tre orëve, protestuesit u larguan nga kampusi, tha një zëdhënës i policisë, duke shtuar se u bënë “dhjetëra” arrestime.

“Kolumbia do të jetë krenare për këta studentë pas pesë vjetësh”, tha studentja Sueda Polat, pjesë e koalicionit të grupeve studentore për organizimin e protestave. Ajo shtoi se studentët nuk përbëjnë rrezik dhe i bëri thirrje policisë të tërhiqet.

Kërkesat e protestuesve

Protestuesit kishin tre kërkesa për Universitetin e Kolumbias: tërheqje nga bashkëpunimi me kompanitë që mbështesin qeverinë izraelite, transparencë më të madhe për financat e universiteteve dhe amnisti për studentët dhe fakultetet e ndëshkuara me masa disiplinore gjatë protestave.

Presidentja Shafik theksoi se Kolumbia nuk do të heqë dorë nga të ardhurat financiare nga Izraeli. Në vend të kësaj, ofroi të investonte në shëndetësi dhe arsim në Gaza e t’i bënte më transparente investimet e Kolumbias.

Në letrën e publikuar dje, Shafik tha se protestuesit vandalizuan pronën e universitetit dhe se u pezulluan. Protestuesit thyen xhamat, hynë brenda e shpalosën një pankartë ku shkruhej “Hind’s Hall”, si shenjë se synonin ta riemërtonin ndërtesën në nder të një fëmijë 6-vjeçar palestinez, i cili u vra në Gaza nga ushtria izraelite.

Protestat e shpërndara në SHBA

Sulmi i 7 tetorit në jug të Izraelit nga militantët e Hamasit dhe ofensiva izraelite që pasoi kanë shkaktuar protestat më të mëdha studentore në SHBA, që nga ato kundër racizmit të vitit 2020.

Protestuesit propalestinezë u mblodhën edhe në City College të Një Jorkut, me universitetin që i urdhëroi të largoheshin nga kampusi. Dhjetëra persona u arrestuan.

Po ashtu, universiteti kërkoi praninë e policisë për të ndihmuar në shpërndarjen e protestuesve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65706 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE