Kryeministri Rishi Sunak në testin e zgjedhjeve lokale në Britaninë e Madhe!
Votuesit britanikë sot zgjedhin drejtuesit lokalë dhe ky shihet si testi përfundimtar i opinionit publik përpara se kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak të përballet edhe me zgjedhjet parlamentare në fund të vitit.
Parashikimet sugjerojnë se konservatorët në pushtet mund të humbasin deri në gjysmën e vendeve në këshillat lokale. Kancelari Jeremy Hunt nuk e ka fshehur se partia pret të pësojë “humbje të konsiderueshme”.
Shumica e vendeve për rizgjedhje u kontestuan për herë të fundit në vitin 2021, në kulmin e popullaritetit të Boris Johnson-it, pas përhapjes së vaksinës kundër COVID-19/ës.
Gjithsej 11 gara për kryetar bashkie po zhvillohen gjithashtu, duke përfshirë atë për kryebashkiakun e Londrës, kandidatit të laburistëve, Sadiq Khan dhe sfidueses konservatore, Susan Hall.
Kryebashkiakët konservatorë Andy Street në West Midlands dhe Ben Houchen i Tees Valley po përballen gjithashtu me beteja kyçe për rizgjedhjen, me sondazhet që sugjerojnë gara të ngushta me kundërshtarët e tyre laburistë.
Të dyja partitë kryesore kanë kërkuar të menaxhojnë pritshmëritë para ditës së votimit, me Hunt që këmbëngul se qeveritë mund të “dënohen” në votat lokale. Laburistët thonë se sistemi i kryebashkiakut favorizon pushtetarët, megjithëse lideri i opozitës Keir Starmer vuri në dukje se ai “shpreson” se do të fitojë zgjedhjet në West Midlands.
Në fillimjavë, Britania startoi aksionin e dërgimit të emigrantëve ilegalë në Ruandë dhe kjo përkoi me javën e zgjedhjeve. Nga 29 prilli, Zyra e Brendshme në Britaninë e Madhe nisi aksionin blic për të arrestuar azilkërkuesit, me qëllim dërgimin e tyre në Ruandë. “The Guardian” zbuloi skemën:
Zyrtarët britanikë planifikojnë të ndalojnë refugjatët që shkojnë për takime rutinë në zyrat e Shërbimit të Emigracionit e gjithashtu do të arrestojnë njerëz në mbarë vendin, në një aksion të madh dy-javor.
Pas ndalimit, emigrantët e paligjshëm do të transferohen në qendrat e paraburgimit, që janë përgatitur për operacionin dhe do të mbahen aty, që më pas të dërgohen në Ruandë me avionë.
Nisja e menjëhershme e aksionit përkoi me zgjedhjet e këshillit vendor të këtij 2 maji në Angli, për të rritur pretendimet e kryeministrit të vendit, Rishi Sunak se ai po godet emigracionin e paligjshëm.
Më herët, shefi i qeverisë së Londrës ka deklaruar:
Për të arrestuar emigrantët ndërsa përgatitemi për t’i larguar, kemi rritur hapësirat e paraburgimit në 2 mijë e 200 qeli.
Pas miratimit të ligjit për dërgimin në Ruandë të emigrantëve ilegalë, një pjesë e tyre po i shmanget kontrollit të autoriteteve. Mediat britanike raportuan se në Britaninë e Madhe, mijëra emigrantë janë zhdukur gjatë tre muajve të parë të vitit, mes tyre edhe 1 mijë e 633 shqiptarë.
Pas disa vitesh përplasjeje politike e betejash gjyqësore, në javën e kaluar, ligjvënësit britanikë miratuan ligjin me anë të të cilit qeveria shpreson të ndalë flukset emigratore përmes Kanalit të La Manshit.
Qeveria thotë se kjo polikë është e bazuar në moral, pasi synon t’i japë fund udhëtimeve të rrezikshme të trafikantëve të qenieve njerëzore. Por, Kombet e Bashkuara i bënë thirrje Britanisë ta rishikojë këtë çështje.