Sondazhi për profesionet e lira/Pas ligjit të ri, 23% do të mbyllin aktivitetin!
Në prill, profesionistëve të lirë iu publikuan në sistem deklaratat për “Këste paraprake të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi”. Këto këste ishin në zbatim të ligjit të ri të “Tatimit mbi të ardhurat” që hyri në fuqi më 1 janar dhe për profesionet e lira vendoste tatimin me 15% deri në 14 milion lekë të ardhura e 23% mbi këtë kufi, por siç pritej, njoftimi i tyre u shoqërua me reagime të shumta.
Kryesisht, debatet lindën për shkak të zbatimit gjysmak të ligjit dhe mungesës së informimit paraprak nga institucionet përkatëse shtetërore.
Së pari, kishte paqartësi në termat e përdorur, duke detyruar administratën të fshijë nga sistemi njoftimin e vlerësimit.
Së dyti, deklarimi i të ardhurave u bë sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Së treti, periudha e këstit të përllogaritur dhe publikuar nga tatimet ishte e paqartë dhe pagesa 12-mujore është ngjeshur në 9 muaj.
Së katërti, në llogaritjet për parapagimin e tatimit të thjeshtuar nga administrata tatimore nuk është marrë parasysh zbritja e shpenzimeve 30% (që parashikon ligji për subjektet me xhiro deri në 10 milion lekë), por vetëm shpenzimet e deklaruara nga biznesi, duke bërë që këstet të rezultonin më të larta në raport me përllogaritjet paraprake të biznesit, bazuar në logjikën e ligjit. Tatimet thanë që zbritja do të bëhet në fillim të viti të ardhshëm, pasi nuk u arrit që të realizoheshin formularët e rinj.
Në këtë rrëmujë aktesh normative, janë profesionistët që do të detyrohen të paguajnë shuma, që pjesa më e madhe e tyre i quajti padrejtësish të larta ose nuk i kanë rezervuar, sepse ndoqën logjikën e ligjit.
Ligji është dërguar në Kushtetuese nga disa palë interesi. Arsyet janë:
Cënimi i barazisë mes tatimpaguesve, parimeve të shtetit të së drejtës dhe shkeljes së konkurrencës mes bizneseve, me efekt rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë.
Në kulmin e këtij debati, gjatë periudhës 23-30 prill, “Monitor” zhvilloi një sondazh online të targetuar për profesionistët e lirë, përmes platformës që synon matjen e reagimit qytetar ECR (Engaged Citizens Reporting). Sondazhi përfshiu një kombinim të pyetjeve sasiore dhe cilësore.
Reagimi ishte i lartë. Sondazhin e plotësuan 613 profesionistë të lirë, 35% femra. Prej tyre, 71% ishin nga Tirana.
Rezultatet e sondazhit treguan qartë perceptimin negativ të zbatimit të ligjit të ri të “Tatimit mbi të ardhurat”.
96% e të anketuarve u përgjigjën që aplikimi i tatimit progresiv do të kishte ndikim negativ në aktivitetin e tyre. Vetëm 3% thanë se nuk do të kishte ndikim ndërsa zgjedhja për efekt pozitiv ose pa ndikim ishte më pak se 1%.
Pjesa më e madhe e subjekteve do të rrisin çmimet. 23% do të mbyllin biznesin ose do të emigrojnë.
Ndonëse e prisnin zbatimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, profesionistët e lirë duket se janë dorëzuar përballë paqartësive ligjore dhe zbatimit gjysmak, që çoi në këstet e larta që duhet të parapaguajnë.
Të gjithë do të duhet të përshtaten ndaj këtij realiteti të ri, ndërsa pothuajse të gjithë thanë që pasojat do të jenë negative, jo vetëm për ta, por edhe klientët e tyre që do të përballen me kosto më të lartë të shërbimeve që do të marrin nga kontabilistët, avokatët, profesionistët e IT-së, etj.