Fermerët në Holandë të shqetësuar, tulipanët rozë preken nga nxehtësia ekstreme!
Ndryshimet klimatike janë kthyer në armikun më të madh të fushave me tulipanë rozë në Holandë. Që prej 1940 në këto fusha kultivohet tulipani, por asnjëherë, fermerët nuk janë hasur me këto probleme si kohët e fundit. Arjan Smit merret prej afro 30 vitesh me tulipanët dhe këtë vit e konsideron si më të vështirin. Temperaturat e larta gjatë pranverës dhe verës, sjellin më pas një dimër me shumë reshje dhe kalimi nga një ekstrem në tjetrin, i dëmton këto bimë.
Dimrin e kaluar ishte shumë i lagësht. Në total, në sektorin tonë ne humbasim rreth tetë deri në nëntë për qind të tulipanëve në fusha. Ata dëmtohen nga shiu.
Thatësira e tejzgjatur ka detyruar fermerët që t’i ujisin tulipanët çdo javë, çka më pas sjellë edhe shtim të shpenzimeve. Por për ata që merren me tulipanët, ndryshimet klimatike nuk janë i vetmi shqetësim, edhe Brexit e ka goditur shumë këtë sektor. Në shumë raste, kamionët që transportojnë tulipanët, qëndrojnë në doganë për disa ditë, duke i dëmtuar këto lule dhe në Angli ato nuk shkojnë të freskëta. Por pavarësisht problemeve që vijnë nga dora e njeriut, apo nga natyra, Arjan Smit gjen kënaqësinë te tulipanët.
Rikujtojmë se një nga kopshtet më të mëdha të tulipanëve në botë, Keukenhof u hap për herë të 75-të në Holandë. I vendosur në qytetin verior të Lisse, kopshti mirëpret më shumë se një milion vizitorë holandezë dhe të huaj çdo vit. Meqenëse tulipanët kanë një jetëgjatësi të shkurtër, kopshti Keukenhof është i hapur nga 21 mars deri më 12 maj, me lulet në kulmin e tyre në prill. Keukenhof tërheq çdo vit fotografë të shumtë dhe adhurues të tjerë të luleve me koncepte të ndryshme. Parku është emëruar sipas Kalasë Keukenhof.