Josep Borrell: Mezi pres të punoj me Qeverinë e re serbe!

vovalbania May 03, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Josep Borrell: Mezi pres të punoj me Qeverinë e re serbe!

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të premten se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë.

“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviç. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriç dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi Borrell në rrjetin social X të premten.

Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviç, i cili paralajmëroi ditë më parë se Serbia nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e mëparshme në lidhje me Rusinë dhe Kosovën.

Borrell theksoi se “rreshtimi përkrah dhe veprimi në përputhje me vlerat e BE-së dhe politikat e jashtme dhe të sigurisë, janë shenja thelbësore të orientimit strategjik”. Së fundi, BE-ja edhe zyrtarisht e ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçeviç tha një ditë para se të votohej Qeveria e tij se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviç.

“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

Vuçeviç do të ketë një kabinet që do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

Pjesë e tij si zëvendëskryeministër do të jetë edhe ish-kreu i shërbimit inteligjent të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej korrikut 2023 – mes tjerash, për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, do të jetë edhe Nenad Popoviç, si ministër pa portofol.

Ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është i zhgënjyer me propozimet për Qeverinë e re të Serbisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE