Liria e shtypit, Amerika ndër shtetet “problematike”/Italia zbret me 3 vende!
Vendet ku gjendja e lirisë së shtypit është “e mirë” ndodhen të gjitha në Europë, shumica në Bashkimin Europian. Për të tetin vit radhazi, vendin e parë e zë Norvegjia, e ndjekur nga Danimarka dhe Suedia. Organizata “Reporterët pa kufij” vëren se politikanët në Europë po përpiqen të ngushtojnë hapësirën për gazetari të pavarur.
Në krye të kësaj prirjeje të rrezikshme janë kryeministri i Hungarisë që mbështet Kremlinin, Viktor Orban dhe homologu i tij sllovak, Robert Fico.
Liria e shtypit është vënë në provë nga partitë në pushtet në Hungari, (vendi 67), Maltë (vendi 73) dhe Greqi (vendi 88), vendet europiane me renditjen më të ulët. Edhe Italia që drejtohet nga kryeministrja Giorgia Meloni ka zbritur me tre vende duke u renditur në vendin e 46. Në Europën Lindore kushtet për të bërë gazetari po përkeqësohen për shkak të dezinformimit dhe censurës mediatike, nëpërmjet ngritjes së akuzave të pavërteta për terrorizëm ose për dëmtim të sigurisë kombëtare.
Kështu po ndodh në Rusi (vendi 162), në Bjellorusi (167) dhe në Turkmenistan (i 175-ti), ndërkohë që në Gjeorgji, e cila ka zbritur 26 vende, duke u renditur e 103-ta, partia në pushtet po nxit politikën e afrimit me Moskën.
Falë përmirësimit të treguesit të saj të sigurisë me më pak gazetarë të vrarë dhe treguesit politik, Ukraina është ngjitur 18 vende, duke u renditur e 61-ta.
Afganistani, që përndjek gazetarët që nga koha kur talebanët morën kontrollin në vend, Siria dhe Eritrea renditen ndër tre vendet e fundit, ku gjendja për gazetarët është “shumë e rrezikshme”.
Indeksi i rendit Shtetet e Bashkuara në vendin e 55-të, me një rënie prej 10 vendesh, duke zbritur nga shtetet me gjendje “të kënaqshme” në ato “problematike” për lirinë e shtypit. “Reporterët pa Kufij” shprehen:
SHBA-të zbresin me 10 vende ndërsa përgatiten për zgjedhjet presidenciale 2024 mes rritjes së mosbesimit në media, pjesërisht e nxitur dhe nga antagonizmi i hapur dashakeq i zyrtarëve politikë ndaj saj, përfshirë thirrjet për burgosjen e gazetarëve. Në disa raste të profilit të lartë, organet ligjzbatuese vendore kanë kryer veprime frikësimi, përfshirë bastisjen në redaksi dhe arrestimin e gazetarëve.
Në Lindjen e Mesme e në Afrikën e Veriut, gjendja është “shumë e rrezikshme” në afro gjysmën e shteteve.
Gjatë këtij viti, Jemenit, Arabisë Saudite, Iranit, Palestinës, Irakut, Bahreinit, Sirisë dhe Egjiptit, të shënuara me të kuqe në hartë, i janë bashkuar Emiratet e Bashkuara Arabe. Territoret palestineze, më vdekjeprurësit për gazetarët, gjithashtu renditen afër fundit të Indeksit. Katari është vendi i vetëm në këtë rajon, ku gjendja nuk cilësohet as “e vështirë” dhe as “shumë rrezikshme”.
Organizata vlerëson se prej tetorit 2023, lufta në Gaza ka shënuar një numër rekord sulmesh kundër medias dhe gazetarëve. Mbi 100 reporterë palestinezë janë vrarë nga forcat e mbrojtjes izraelite, përfshirë të paktën 22 që ishin në punë.
Përveçse është vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të arrestuar në botë, qeveria e Kinës (e renditur në vendin e 172) vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë mbi kanalet e informacionit, me politika censuruese dhe kontrolluese, duke bërë rregullime të përmbajtjes në internet e duke kufizuar përhapjen e informacionit që konsiderohet i ndjeshëm ose në kundërshtim me linjën e partisë.
Turqia ka vijuar të humbasë pikë në Indeks, duke u renditur e 158-ta. “Reporterët Pa Kufij” vërejnë se burim për një farë shqetësimi përbën dhe rizgjedhja e presidentit Recep Tayyip Erdogan.